Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka zbardhur detajet e vizitës në Gjykatën e Posaçme. Sot, diplomatja qëndroi për rreth një orë në GJKKO, ku ka takuar të gjithë gjyqtarët dhe në fokus duket se kanë qenë çështjet sensitive që ata kanë në duar.

Vizita duket se lidhet me një deklaratë të ambasadores pak ditë më parë, e cila u shpreh se gjyqtarëve dhe prokurorëve po ju bëhet presion.

Ambasada amerikane ka njoftuar se Yuri Kim, ka kërkuar nga gjyqtarët që të tregohen të fortë dhe të rezistojnë. Sipas saj, kriminelët dhe emrat e zhytur në afera po e ndiejnë presionin dhe për këtë arsye reforma në drejtësi ndodhet në një moment delikat. Por ajo e ka bërë të qartë se SHBA do të jetë në krah të tyre për të dërguar pas hekurave kriminalet dhe pushtetarët e zhytur në korrupsion.

“Vendimet tuaja kanë rritur besimin e publikut tek institucionet e drejtësisë, u mundësuan partnerëve ndërkombëtarë që të fillojnë sërish t’u besojnë homologëve shqiptarë dhe më e rëndësishmja, u thanë njerëzve të këqinj se ligji po funksionon. Shqipëria nuk ka parë kurrë që zyrtarë të tillë të lartë të shpallen fajtorë me vendime përfundimtare. Kjo është një kohë kritike për reformën në drejtësi. Kriminelët po e ndjejnë presionin. Kjo do të thotë se përpjekjet e tyre do të jenë edhe më intensive dhe ju duhet të rezistoni. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe populli shqiptar nuk duan që gjykata të kthehet në mënyrat e vjetra. Le të sigurohemi që ato kohë të mbeten në të kaluarën, njëherë e përgjithmonë”, u tha ambasadorja gjyqtarëve.

Më 11 tetor, ambasadorja amerikane bëri një deklaratë të fortë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kim lëshoi një mesazh për të gjithë klasën politike, pasi shprehej se është në dijeni të presioneve dhe tentativave për të joshur gjyqtarët dhe prokurorët. Ajo i ka paralajmëruar që të ndalin çdo lloj tentative për të ndikuar në drejtësi.

Ne jemi të vetëdijshëm për më shumë përpjekje për të joshur ose frikësuar gjyqtarët dhe prokurorët, për të shtrembëruar drejtësinë, për të këmbëngulur në mosndëshkimin e të fuqishmëve – me fjalë të tjera, për të zvarritur Shqipërinë në të kaluarën. Gjyqtarët dhe prokurorët duhet të kryejnë detyrat e tyre në përputhje me ligjin, me integritet”, shprehej Kim në rrjetet sociale.

Ajo ja u ka bërë të qartë njerëzve të drejtësisë se duhet të godasin korrupsionin dhe Shqipëria të mos bëjë hapa pas.

Pyetja që shtrohet është se kush po i bën presion drejtësisë? Mesazhi shkon për politikën. Në gjykatë ka disa raste sensitive dhe si duket ambasadorja është informuar duke ndërhyrë.