Pasi vrau dy motrat, Kristina Bardhi dhe Zhaneta Metani në ditën e fundit të vitit 2020, 59-vjeçari Përparim Ademi, është deklaruar i penduar para policisë. Ai ka kërkuar falje për veprimin që kishte bërë dhe u shpreh se gjithçka erdhi pasi dyshoi që e ish-dashura e tij, Zhaneta Metani, kishte krijuar një lidhje tjetër, duke u ndarë nga ai.
“Njihem me të dyja motrat, Kristinën dhe Zhanetën. Ato janë të divorcuara. Kristina jetonte në Greqi dhe takoheshim më rrallë, ndërsa me Zhanetën kam qenë i lidhur. Zhaneta nisi të distancohej me mua dhe mesa kuptova kishte nisur lidhje me dikë tjetër. Shkova ta takoja dhe t’i kërkoja llogari. Doja t’i kërcënoja, por të dyja më ofenduan dhe unë qëllova. Jam penduar për krimin. Kërkoj falje”.
59-vjeçari i qëlloi dy motrat me një kallashnikov. 26 gëzhoja u gjetën në vendin e ngjarjes, ku autori kishte zbrazur gjithë karikatorin dhe më pas e la armën në apartament, shkruan Tv Klan.
Vrasja ndodhi në sy të një fëmije të mitur, ndërsa para se t’i vriste, Përparim Ademi kishte debatuar me të dyja motrat. Fqinjët kanë dëgjuar sherrin që po bëhej në apartament dhe më pas të shtënat me breshëri.
Ademi u arrestua pranë shkollës “Vasil Shanto” nga forcat Shqiponja. 59-vjeçari akuzohet për vrasje ndaj dy ose më shumë personave dhe armëmbajtje pa leje