Paralajmërimet janë më shumë se të qarta, se shumë shpejt mund të ketë një pushtim të Ukrainës nga ana e Rusisë, por tashmë, ka edhe një datë konkrete se kur kjo gjë mund të ndodhë.

Sipas gjigandit gjerman mediatik, “Der Spiegel”, 16 shkurti, është dita e caktuar për mësymjen ruse.

Sipas burimeve diplomatike nga Shtëpia e Bardhë për vetë median e bazuar në Berlin, një sërë detajesh të tjera janë zbuluar gjatë një takimi të mbajtur, me në vëmendje konfliktin Moskë-Kiev.

Janë disa diplomatë dhe zyrtarë ushtarakë, ata të cilët kanë thënë se disa detaje janë dhënë në takimin sekret. Por, prej tyre, i vetmi që arriti të dalë në dritë, është fakti se frika është e madhe për një pushtim rus ndaj Ukrainës dhe se ajo datë, mund të jetë më e afërt se sa mendohet.

Vetë mbështetja në shumë burime mbi këto pretendime, e bën lajmin shumë të besueshëm sipas “Der Spiegel”. Në fillim, dyshohej për vërtetësinë e tij. Më pas, filloi të qarkullonte në media. Tashmë, është kthyer në kryefjalë të politikës botërore.

Informacionet janë nga kampe të ndryshme, por e sigurt është se tensioni ka arritur majat.

Thirrje, perëndimorët, i kanë bërë edhe qytetarëve të tyre, që të evakuohen nga Kievi sa më parë. Disa trupa diplomatike janë tërhequr.

Ndër to, sipas raportimeve nga Moska, edhe ata rusë. Ekipi i misionit diplomatik ka nisur tërheqjen për në atdhe, pa arsye të dhëna ose të zbuluara.

Rreziku kanosës i luftës është shumë pranë. Teksa, një telefonatë e pritshme midis presidentit amerikan, Joe Biden dhe atij rus Vladimir Putin, mund të sheshojë tensionet, ose t’i përshkallëzojë një herë e mirë ato, duke e çuar botën në luftë.