Andrzej Izdebski, tregtar famëkeq armësh në qendër të një skandali me tenderët e ventilatorëve mjekësor në Poloni, vdiq beftas në Tiranë në moshën 71 vjeçare nga një atak në zemër, duke lënë pas një valë virale spekulimesh se vdekja e tij mund të ishte inskenuar.

Andrzej Izdebski nuk iu përgjigj trokitjeve të përsëritura në derën e apartamentit të tij në Tiranë mesditën e 20 qershorit.

Jashtë banesës të marrë me qira, në katin e dytë të një prej godinave të ndërtuara nga sovjetikët në qendër të kryeqytetit të njohura si Pallatet Agimi, qëndronte i shqetësuar Ylli Zyla – një oficer i lartë i forcave të armatosura dhe ish-drejtues i Shërbimit Informativ të Ushtrisë, SHIU.

Së bashku me pronarin e apartamentit, Zyla tentoi ta hapte derën me një kopje të çelësit, por ajo ishte e mbyllur nga brenda dhe çelësi i qiramarrësit kishte mbetur në bravë. I shqetësuar për mikun e tij polak Zyla telefonoi zjarrfikësit dhe policinë. Pak minuta pas mbërritjes së tyre, administratori i pallatit, Tomorr Baruti dhe një prej zjarrfikësve u ngjitën me shkallë në ballkonin e  apartamentit të mbyllur me vetrata.

“Vetëm hoqëm nga dritarja rrjetën e mushkonjave,” tha Baruti. “Unë hyra nga një krah, ndërsa zjarrfikësi nga krahu tjetër,” shtoi ai.

Baruti dhe zjarrfikësi e gjetën Izdebskin pa jetë, të shtrirë mbi krevatin në dhomën e gjumit.

“Kishte gjak në dyshek, në të dy krahët e tij”, kujtoi ai.

Policia e raportoi vdekjen në një komunikatë të shkurtër për shtyp në të njëjtën ditë. Gabimisht Izdebski në komunikatë u identifikua me inicialet A.H. dhe i moshës 73-vjeç.

Kur vdekja u mësua në Poloni një muaj më vonë, gabimet e komunikatës dhe e shkuara e errët e viktimës si tregtar armësh i përfshirë në listën e zezë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, krijuan dyshime. Për më shumë biznesmeni ishte nën hetim në vendin e tij, për të paktën 8 milionë euro detyrime të papaguara nga një kontratë me qeverinë polake për të furnizuar spitalet me aparatura respirimi për të sëmurët me COVID-19. Spekulimet për një vdekje të sajuar për të shmangur detyrimet e papaguara pushtuan gazetat bulevardeske në Poloni.

Megjithatë, në Tiranë policia dhe prokuroria insistojnë se vdekja ka ardhur për shkaqe natyrale.

“Dyshimi kryesor është që ka vdekur nga infarkti”, tha Arens Çela, drejtues i Prokurorisë së Tiranës, i cili shtoi se çdo muaj në kryeqytet regjistrohen 20 raste të ngjashme. Çela theksoi se për ta quajtur të mbyllur çështjen, Prokuroria po pret edhe një analizë të fundit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

I kontaktuar në telefon, Koloneli Ylli Zyla refuzoi të komentonte mbi vdekjen e Andrzej Izdebskit dhe marrëdhënen me të ndjerin.

“Unë jam ushtarak, nuk mund të flas,” tha ai.