Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka dhënë detaje të reja mbi bisedimet e zhvilluara me presidentin amerikan Donald Trump, duke bërë të ditur se plani i paqes përfshin garanci sigurie nga Shtetet e Bashkuara për një periudhë 15-vjeçare.
Duke folur për gazetarët, Zelenskyy tha se fillimisht kishte kërkuar garanci sigurie deri në 50 vjet, çka tregon dallimet mes palëve gjatë negociatave. Megjithatë, ai la të kuptohet se ka pranuar propozimin amerikan për 15 vjet.
Në një konferencë për shtyp të mbajtur mbrëmjen e kaluar, presidenti ukrainas deklaroi se garancitë e sigurisë mes SHBA-së dhe Ukrainës janë tashmë “100 për qind të dakorduara”, ndonëse ende nuk janë bërë publike detajet konkrete të angazhimit amerikan.
Ende mbetet e paqartë se çfarë lloj garancish sigurie do të ofrojë Uashingtoni, pasi Trump ka shprehur vazhdimisht hezitim për angazhimin e drejtpërdrejtë të forcave amerikane në rajon.
Zelenskyy shtoi se garancitë shtesë nga vendet evropiane janë “pothuajse të dakorduara”, por jo ende në të njëjtin nivel përparimi.
Ndërkohë, pritet që Rusia të kundërshtojë çdo propozim sigurie që përfshin praninë e forcave të huaja nga aleatët e Ukrainës në territorin e saj.
Komente