Zëri i Amerikës ka pasqyruar konferencën për mediat të Presidentit Ilir Meta mbajtur mesditën e sotme.
Shkrimi nga Zëri i Amerikës:
Në Shqipëri presidenti Ilir Meta u shfaq sot përpara publikut duke folur më tone të ashpra ndaj kryeministrit Edi Rama dhe ambasadave perëndimore që sipas tij po e mbështesin atë.
Zoti Meta tha se më 30 Qershor shqiptarët “evituan një kurth dhe komplot të kurdisur prej kohësh për të ushqyer me çdo kusht dhe çdo çmim përplasjen civile”. Ai foli për një komplot bazuar sipas tij, në parimet e “Shtetit brenda Shtetit” që synon kapjen e Shtetit “jo vetëm në Shqipëri, por dhe në vendet e tjera që vuajnë nga fenomeni i Shtetit paralel dhe axhendave të nëndheshme që janë një komplot kundër demokracisë dhe sovranitetit të të gjithë qytetarëve që duan një demokraci të vërtetë europiane dhe perëndimore”.
Prapa gjithë kësaj skeme, sipas zotit Meta, qëndron multimiliarderi George Soros dhe familja e tij, ndaj të cilëve ai kishte këtë qëndrim: “Ilir Meta nuk është i racës së Gruevskit, është president i Shqipërisë dhe do i dalë për zot Shqipërisë. Është i racës së Avni Rustemit dhe disa të tjerëve si Mic Sokoli, Vojo Kushi e të tjerë”.
Duke ju drejtuar kryeministrit Edi Rama për zgjedhjet e 30 Qershorit, ai foli për një “turp e skandal, as 10 për qind nuk ka marrë, le të mbushin kuti tërë ditën me organizatën socialiste në KQZ, me Kolegjin socialist, tregon se çfarë reforme në Drejtësi po bën, nga Reformë e ka bërë Ramaformë. Këto janë gjëra të turpshme e skandaloze që nuk mund të ndodhin në një shtet të së drejtës e që do të anëtarësohet në BE. Për mua demokracia është e panegociueshme, nuk e negocioj me asnjë ambasadë e asnjë shtet”.
Presidenti i vendit ishte i qartë në pozicionin e tij se zgjedhjet e 30 Qershorit ai nuk I njeh. “Zgjedhjet janë më 13 tetor. Dekretin e presidentit vetëm Gjykata Kushtetuese mund ta diskutojë. Prandaj gjithë këto pallavra, KQZ-ra, rezoluta të Kuvendit socialist me opozitën e re të skandalit të unazës së re, dhe me Kolegjin socialist, nuk ka njeri që mund të vërë në diskutim këtë gjë, duhet të jemi krejtësisht të qartë dhe do të mbajnë përgjegjësi të gjithë ata që kanë shkelur ligjin”, u shpreh presidenti duke dhënë dhe propozimin e tij për kapërcimin e situatës. “Më 13 tetor edhe zgjedhje të përgjithshme dhe zgjedhje për presidentin, dhe unë do kandidoj si president, me këto kompetenca dhe Edi Rama dhe Kuvendi socialist që nuk më duan mua, të vënë kandidat kë të dëshirojnë. Kjo është rruga që e zgjidh këtë krizë të tmerrshme të përfaqësimit që të mos na ndodh sërish 2 korriku”.
Zoti Meta nuk dha ndonjë shpjegim se si mund të shkohej te ky propozim i tij, kur të paktën për zgjedhjen e presidentit do të duhet të ndryshohet kushtetuta. “Ky është propozimi im, nëse dikush tjetër ka ndonjë propozim tjetër, le të vijë. Nëse ka ndonjë propozim ndonjë ambasadë që flet për dialog, por nxit sherr në Shqipëri, ta bëjë. ta dëgjojmë. Asnjë propozim që dhunon parimet e shtetit të së drejtës unë nuk e pranoj. I kërkoj zotit Rama të tregohet serioz e i përgjegjshëm. I ftoj dhe përfaqësuesit e huaj të mos bëhen qesharakë, se jemi vend I Natos, kemi 10 vjet, të mos tallen me kushtetutën tonë”.
Ai shkoi dhe më tej kur tha se “kush e do Shqipërinë, një koloni, që të pastrojë lekë, që të jetë bazë operacionale e krimit të organizuar ndërkombëtar, një Kolumbi në Europë, Jo nuk kemi nevojë, boll e kanë aty ku e kanë, apo dhe një vend që të krijojë problem në Ballkan mua më ka kundër si President i Shqipërisë, dhe si qytetari, Ilir Meta. Kjo duhet të jetë e qartë”. Kreu i Shtetit u duk qartë se e kishte sërish më përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtarë kur u shpreh se “është mirë që të mos e provojë askush kokëfortësinë time për të mbrojtur interesat e vendit tim. Eshtë mirë. Se nuk jam vetëm, se janë shumë shqiptarë që do të bëjnë çdo gjë për të mbrojtur dinjitetin e tyre dhe demokracinë. Rrugë për në Korenë e Veriut, Shqipëria nuk ka për të bërë e kishte 40 e ca vjet”.
Zoti Meta bëri përgjegjës për krizën kryeministrin Edi Rama “dhe ata që e nxisin në këtë rrugë të konfliktit dhe të instalimit praktikisht të një junte që ka asgjësuar çdo parim të Shtetit të së drejtës, që kërkon të asgjësojë çdo institucion dhe kërkon të nxjerrë Shqipërinë nga rruga e integrimit europian”./VOA