Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka bërë me dije se më 4 maj do të mbahet Konferenca e Parë e Kryetarëve për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

“Konferenca e Parë e Kryetarëve do të mbahet më 4 maj. Kjo shtyrje është për të qartësuar procesin. Të gjitha grupet parlamentare duhet të merrnin kohën e nevojshme për të reflektuar”, tha Balla gjatë fjalës së tij pas takimit me Mesila Dodën dhe Fatmir Mediun, si përfaqësues të dy grupeve parlamentare të opozitës.

Sipas Ballës, deri javën tjetër është një kohë për të qartësuar mënyrën e negocimit për profilin e Presidentit.

“Kushtetuta ka përcaktuar qartë nevojën e një dialogu përgjatë tri raundeve të para. Mirë do të ishte të kishim të gjitha grupet parlamentare që të merrnin kohën e nevojshme për të dialoguar me njëri-tjetrin”, vijoi Balla.

Ndërsa ai propozoi datën 10 maj, siç parashikon dhe Kushtetuta – pas afatit shtatëditor pas Konferencës së Kryetarëve – për mbajtjen e raundit të parë të votimit për zgjedhjen e Presidentit me tre Grupet Parlamentare.

Në fjalën e tij, ai theksoi se PS-ja do të hyjë në negociata me tre Grupet Parlamentare për të zgjedhur një President të të gjithë shqiptarëve.

“Do të zgjedhim një president të të gjithë shqiptarëve dhe jo socialistëve dhe që personifikon unitetin e popullit, siç e përcakton dhe Kushtetuta”, ravijëzoi ai.

Ndërsa ai bëri të ditur se data 24 maj është afati i fundit që përcakton Kushtetuta për procesin e zgjedhjes së Presidentit.

Ndër të tjera ka ritheksuar dhe një herë se nuk ka negociata me ish-liderin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, por vetëm me kreun e komanduar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, njëkohësisht dhe kryetar i Grupit Parlamentar të PD-së.

“Sali Berisha nuk ekziston as si Grup Parlamentar. Është një deputet i pavarur në Kuvendin e Shqipërisë. Me Sali Berishën as nuk ka, as nuk do të ketë ndonjëherë negociata për asgjë. Për ne ai nuk ekziston dhe me diçka që nuk ekziston, nuk ke pse negocion”, vijoi Balla.

Në përmbyllje, Balla bëri të ditur se emrat do të publikohen pas negociatave dhe konsultimeve me tre Grupet Parlamentare.

“Do vijë një moment tjetër gjatë procesit, kur të jemi dakord me profilin, do vijmë dhe me emrin”.