Kryeministri dhe kryetar i PD, Edi Rama u shpreh i qartë me ata që do të kandidojnë në zgjedhjet e pjessshme vendore të 6 marsit. Ai tha se nga ana e socialistëve duhet të ketë vetëm punë kokë më kokë me qytetarët.
Sipas kreut të PS-së, socialistët do të jenë ana e kundër e medaljes së demokratëve, të cilët janë ende në luftë për vulën e 8 janarit.
Rama thekson se populli shqiptar është i qartë në atë që sheh brenda PD-së, të cilët do i kthejnë gjashtë bashkitë në rraqe e do t’i hipin sipër njëri-tjetrit si loja “rraqe rraqe kiliko”.
“Të dy në sherr për vulën e 8 janarit dhe një i tretë që merr jetë nga ata të dy. Kjo është oferta për demokratët të gjithë ata që enden fatkeqësisht që e quajnë veten pjesë të këtyre popujve, ndërkohë që populli shqiptar është i qartë për çdolloj që sheh. Në emër të këtyre do thirren bravaxhinjtë, trastaxhinjtë, si ato lojërat në Tironë kur isha i vogël, rraqe rraqe kikio, teksa rraqet do hidhen mbi njëra tjetrën duke i kthyer gjashtë bashki në rraqe që duhet të hapen”, sipas Ramës.
Zgjedhjet e pjesshme vendore në gjashtë bashki të vendit pritet të mbahen me datë 6 mars. Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi tha se në këto gjashtë bashki do të aplikohet identifikimi elektronik, ndërsa në Vorë do të aplikohet edhe votimi elektronik.
Sipas KQZ-së në këto gjashtë bashki janë të regjistruar 648.536 zgjedhës, do të ketë 13 KZAZ dhe 940 Qendra Votimi.
Presidenti Ilir Meta dekretoi 6 marsin si datën e zgjedhjeve të pjesshme në bashkitë e Shkodrës, Durrësit, Dibrës, Vorës, Rrogozhinës dhe Lushnjes.
Dekreti i Metës është i vonuar, pasi Kodi Zgjedhor sanksionon se zgjedhjet mbahen “jo më vonë se 45 ditë nga data e njoftimit të ndërprerjes së mandatit”.
Bashkia Shkodër është prej vitit 2019 pa kryetar të ri, pasi fituesi i zgjedhjeve, Valdrin Pjetri i Partisë Socialiste, e humbi mandatin për shkak të ligjit të dekriminalizimit, pasi kishte të fshehur një dënim në të shkuarën. Detyrën e ushtron kryetarja e vjetër e bashkisë, Voltana Ademi.
Edhe bashkia e Vorës mbeti pa kryetar pasi Agim Kajmaku u bë subjekt i ligjit të dekriminalizimit. Në bashkinë Rrogozhinë ndërroi jetë kryebashkiaku Haxhi Memolla, ndërsa kryetari i Bashkisë Dibër, Dionis Imeraj, dha dorëheqjen pasi garoi për deputet në listën e PS-së.
Bashkia e Durrësit mbeti gjithashtu pa kryetar pas dorëheqjes në dhjetor 2019 të Valbona Sakos. Bashkia e fundit që mbeti pa kryetar është ajo e Lushnjës në korrik 2021, kur kryetari Fatos Tushe u shkarkua nga Kryeministri pasi u arrestua për korrupsion nga SPAK.
Meta e argumentoi vonesën e tij të gjatë me pritjen e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese për Kushtetuetshmërinë e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019.
Këto zgjedhje u mbajtën në një situatë konfliktuale politike, pasi opozita vendosi t’i bojkotojë ato, ndërsa vetë presidenti i kishte anuluar me dekret.
Partia Demokratike nuk u thirr për konsultime nga presidenti, ndërkohë që shpallja e zgjedhjeve vjen në një moment kur partia më e madhe e opozitës është e përçarë.