Kryeministri dhe kryetar i PD, Edi Rama u shpreh i qartë me ata që do të kandidojnë në zgjedhjet e pjessshme vendore të 6 marsit. Ai tha se nga ana e socialistëve duhet të ketë vetëm punë kokë më kokë me qytetarët.

“Ne duhet të shikojmë punën tonë derë më derë në të gjitha lagjet me deputetët përkatës me partinë me territor për të mos promovuar turizmin elektoral, me deputetë që bëjnë më shumë zhurmë se punë. Me një prag të mirëpërcaktuar me çfarë dhe kur të jetë në fushata, jo mitingje, jo grumbulli me masive në salla të mbyllura, por punë kokë më kokë me njerëzit. Me kokën ulur dhe veshët hapur është këshilla ime”, tha Rama.

Sipas kreut të PS-së, socialistët do të jenë ana e kundër e medaljes së demokratëve, të cilët janë ende në luftë për vulën e 8 janarit.

Rama thekson se populli shqiptar është i qartë në atë që sheh brenda PD-së, të cilët do i kthejnë gjashtë bashkitë në rraqe e do t’i       hipin sipër njëri-tjetrit si loja “rraqe rraqe kiliko”.

“Të dy në sherr për vulën e 8 janarit dhe një i tretë që merr jetë nga ata të dy. Kjo është oferta për demokratët  të gjithë ata që enden fatkeqësisht që e quajnë veten pjesë të këtyre popujve, ndërkohë që populli shqiptar është i qartë për çdolloj që sheh. Në emër të këtyre do thirren bravaxhinjtë, trastaxhinjtë, si ato lojërat në Tironë kur isha i vogël,  rraqe rraqe kikio, teksa rraqet do hidhen mbi njëra tjetrën duke i kthyer gjashtë bashki në rraqe që duhet të hapen”, sipas Ramës.

Zgjedhjet e pjesshme vendore në gjashtë bashki të vendit  pritet të mbahen me datë 6 mars. Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi tha se në këto gjashtë bashki do të aplikohet identifikimi elektronik, ndërsa në Vorë do të aplikohet edhe votimi elektronik.

Sipas KQZ-së në këto gjashtë bashki janë të regjistruar 648.536 zgjedhës, do të ketë 13 KZAZ dhe 940 Qendra Votimi.

Presidenti Ilir Meta dekretoi 6 marsin si datën e zgjedhjeve të pjesshme në bashkitë e Shkodrës, Durrësit, Dibrës, Vorës, Rrogozhinës dhe Lushnjes.

Dekreti i Metës është i vonuar, pasi Kodi Zgjedhor sanksionon se zgjedhjet mbahen “jo më vonë se 45 ditë nga data e njoftimit të ndërprerjes së mandatit”.

Bashkia Shkodër është prej vitit 2019 pa kryetar të ri, pasi fituesi i zgjedhjeve, Valdrin Pjetri i Partisë Socialiste, e humbi mandatin për shkak të ligjit të dekriminalizimit, pasi kishte të fshehur një dënim në të shkuarën. Detyrën e ushtron kryetarja e vjetër e bashkisë, Voltana Ademi.

Edhe bashkia e Vorës mbeti pa kryetar pasi Agim Kajmaku u bë subjekt i ligjit të dekriminalizimit. Në bashkinë Rrogozhinë ndërroi jetë kryebashkiaku Haxhi Memolla, ndërsa  kryetari i Bashkisë Dibër, Dionis Imeraj, dha dorëheqjen pasi garoi për deputet në listën e PS-së.

Bashkia e Durrësit mbeti gjithashtu pa kryetar pas dorëheqjes në dhjetor 2019 të Valbona Sakos. Bashkia e fundit që mbeti pa kryetar është ajo e Lushnjës në korrik 2021, kur kryetari Fatos Tushe u shkarkua nga Kryeministri pasi u arrestua për korrupsion nga SPAK.

Meta e argumentoi vonesën e tij të gjatë me pritjen e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese për Kushtetuetshmërinë e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019.

Këto zgjedhje u mbajtën në një situatë konfliktuale politike, pasi opozita vendosi t’i bojkotojë ato, ndërsa vetë presidenti i kishte anuluar me dekret.

Partia Demokratike nuk u thirr për konsultime nga presidenti, ndërkohë që shpallja e zgjedhjeve vjen në një moment kur partia më e madhe e opozitës është e përçarë.