Kryetari i PD, Lulzim Basha, zgjodhi sot Fushë- Krujën për të paralajmëruar ‘kriminelët’ që mund të venë dorë mbi zgjedhjet. Ai i paralajmëroi ‘kriminelët’, që më së shumti kohët e fundit identifikohen si ‘nga zona e Krujës’, se do të jenë nën vëzhgim “jo vetëm tonin, por edhe të agjencive të shërbimit inteligjent partnere”- tha Basha.

Por jo vetëm kaq.

Zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit në Shqipëri do të monitorohen nga një numër i madh vëzhguesish, vendas dhe ndërkombëtarë, të cilët do ta ndjekin nga afër procesin ditën e votimeve dhe pas tij.

Deri tani numërohen në total mbi 5500 vëzhgues, afatshkurtër dhe afatgjatë, të akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve(KQZ) për monitorimin e procesit të votimit dhe më pas, atë të numërimit të votave. Përfaqësues të misionit të ODIHR, stafe të ambasadave të vendeve të Bashkimit Europian dhe të SHBA-së në Tiranë, të Këshillit të Europës, të mediave prestigjioze ndërkombëtare etj, do të ndjekin nga afër procesin, sidomos në dy momente të tij, gjatë votimit dhe numërimit të votave.

Të shumtë në numër janë dhe vëzhguesit vendas, që i përkasin kryesisht organizatave të specializuara në fushën e zgjedhjeve, atyre nga shoqëria civile, të angazhuara në problematikat e mirëqeverisjes dhe demokratizimit, etj.

/Veritas.com.al/