Presidenti i FSHF-së, Armando Duka ka urdhëruar nxjerrjen jashtë të mediave nga mbledhja e Asamblesë së Shoqatës Rajonale të Tiranës që pritet të nisë nga çasti në çast, duke mbyllur çdo komunikim. Një lëvizje që duket se bëhet për të fshehur nga sytë e mediave manipulimet që po përpiqet të bëjë me çdo kusht për të betonizuar mandatin e 6-të në krye të FSHF-së.

Ndërkaq, Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për Armando Dukën lidhur me një sërë akuzash që kanë të bëjnë me korrupsion, shpërdorim detyre dhe “vjedhje duke shpërdoruar detyrën. Në total janë 41 anëtarë ndërkohë që FSHF ka kontaktuar policë privat për procesin zgjedhor, ndërsa jashtë godinës së FSHF ka edhe policë të shtetit.

E gjitha kjo është një skemë e “mbretërimit” të një personi të vetëm, skemë e cila është kritikuar edhe nga UEFA, e cila i orientoi të gjitha federatat europiane që në ndryshimet statusore të përfshinin edhe pikën e kufizimit të mandateve.

UEFA dhe FIFA dhanë shembullin të parat, duke miratuar kufizimet me dy mandate, plus një mandat të tretë si afat maksimal në rangjet drejtuese. Si objektiv primar ishte korrigjimi i gabimeve të së kaluarës! Në Shqipëri ky sugjerim nuk u përfshi në statutin e ri, të ndryshuar në dhjetorin e vitit 2020.

Krejt ndryshe ndodhi në Poloni. Pas tetë viteve shumë të suksesshme, presidenti Zbignieë Boniek u largua, pas vendimit të qeverisë se krerët e federatave nuk duhet të qëndrojnë në detyrë më tepër se 8 vjet. Ish-futbollisti i famshëm i Juventus-it dhe Romës tashmë mban postin e zëvendëspresidentit të UEFA-s.

Një tjetër emër i madh i futbollit, si Davor Šuker, u largua pas 9 vjetësh nga drejtimi i Federatës kroate. Te fqinjët e Maqedonisë së Veriut gjatë 20 viteve të fundit janë ndryshuar të paktën tri herë presidentët e Federatës. Aktualisht, drejtues është një shqiptar, Muamed Sejdini, i cilësuar si një prej drejtuesve më të suksesshëm në historinë e këtij institucioni.

Këto zgjedhje vijnë në një kohë kur Bashkia e Tiranës ka kërkuar një hetim kombëtar dhe ndërkombëtar si dhe i ka kërkuar ambasadave të huaja në vendin tonë që t’i bllokojnë vizës kreun e FSHF-së, Armand Duka. Dosja është përgatitur nga bashkia e Tiranës në cilësinë e aksionerit të klubit të Tiranës, ndërsa do dorëzohet ndër të tjera edhe tek FBI, që hetoi dhe rrëzoi krerët e FIFA-s dhe UEFA-s të zhytur në korrupsion. Nga ana tjetër, FSHF-ja ka akuzuar Bashkinë se po ndërhyn në zgjedhjet për kreun e Shoqatës së Tiranës, sipas së cilëve po favorizojnë kandidatin Eduart Prodani.