Zgjedhjet e përgjithshme parlamentare po mbahen sot në Itali, ku pritet të zgjidhet qeveria e re, ndërsa votimet kanë nisur prej orës 07:00 të mëngjesit.
Mbi 50 milionë qytetarë pritet të hedhin votën e tyre këtë të diel.
Sipas sondazheve, këto zgjedhje të përgjithshme të parakohshme mund të krijojnë qeverinë më të djathtë që ka pasur vendi që nga Lufta e Dytë Botërore, e udhëhequr nga kryeministrja e parë grua.
Giorgia Meloni, një rrezik për Italinë dhe Evropën
The Guardian ka publikuar këtë të diel në ditën e zgjedhjeve parlamentare në Itali një analizë të gazetarit italian, Roberto Saviano, i cili shprehet se nëse Giorgia Meloni, zgjidhet kryeministre e Italisë, kjo do të përbënte një rrezik për vendin dhe Evropën.
Presidenti Mattarella voton në Palermo
Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella votoi në orën 08:45 në shkollën Giovanni XXIII – Piazzi në Palermo. Kreu i shtetit votoi, ndërsa u përshëndet me duartrokitje nga të pranishmit.
Ekstremistët e djathtë të “Fratelli d‘Italia” kryesojnë me 22 përqind sondazhet, nga katër përqind në vitin 2018. Kryetarja Girogia Meloni mund të bëhet e para grua kryeministre e Italisë.
Kur mbahen votimet?
Vendvotimet janë të hapura nga ora shtatë e mëngjesit deri në orën 23:00 sipas kohës lokale.
Pothuajse 51 milionë italianë kanë të drejtë të votojnë, nga të cilët 4.7 milionë jetojnë jashtë vendit.
Votuesit do të zgjedhin një Parlament me një numër të reduktuar ulësesh në Dhomën e Ulët (400 nga 630), ndërsa Senati do të ketë 200 vende nga 315 të mëparshme.
Ku është fokusi?
Synimi kryesor i koalicionit të djathtë do të jetë fitimi i shumicës në të dy dhomat e Parlamentit. Kjo dukej se ishte pothuajse e sigurt kur u publikuan sondazhet e fundit, por një rritje e mbështetjes ndaj Lëvizjes 5-Yjet në jug mund ta bëjë më të vështirë fitoren në Dhomën e Lartë në Senat.
Një shumicë prej më shumë se dy të tretave do t’i hapte rrugën Parlamentit për të bërë ndryshime në Kushtetutë pa pasur nevojën e referendumeve.
Parlamentarët e zgjedhur nga zonat elektorale jashtë territorit të Italisë mund të ndryshojnë ekuilibrin në një garë të ngushtë — ka tetë vende të tilla në dispozicion në Dhomën e Ulët dhe katër në Senat.
Çfarë pritet të ndodhë më pas?
Formimi i koalicioneve në Itali është një procedurë jashtëzakonisht e ngadaltë, por perspektiva e një rezultati më të qartë do të thotë se ka pak gjasa të përsëritet 2018-a, kur u deshën pothuajse tre muaj për të formuar koalicionin qeverisës.
Parlamenti i ri do të mblidhet më 13 tetor. Pas kësaj date, presidenti i Republikës së Italisë, Sergio Mattarella, mund të fillojë konsultimet me drejtuesit e partive për të diskutuar për kabinetin e ri qeveritar.
Ringritja e së djathtës/ Efekti domino i fenomenit “Meloni” në Europë
Ajo që ndodh në politikën italiane, nuk qëndron zakonisht në Itali, kështu e nis analizën Bloomberg për zgjedhjet që po mbahen këtë të diel atje, dhe që siç të gjitha shenjat tregojnë fitues do të jetë një koalicion i ekstremit të djathtë më ne krye Giorga Meloni me partinë e saj Fratelli d’Italia. Nga fashizmi në nazizëm; nga Berlusconi te Trump; Nga Lëvizja Pesë Yjet që zgjoi trazira deri te përçarja e shkaktuar nga mediat sociale, Italia shpesh ka shërbyer si një laborator politik për demokracitë liberale.
13: 20 Zgjedhjet në Itali, 19% e qytetarëve votuan deri në orën 12:00
19% e qytetarëve kanë marrë pjesë në votim deri në orën 12:00 për zgjedhjet parlamentare në Itali. Sipas mediave italiane, kjo shifër është në përputhje me vitin 2018. Në total janë 7904 bashku ku pritet të votojnë mbi 50 milionë qytetarë.
Silvio Berlusconi voton në Milano: Hera e parë që shoh radhë!
Kreu i Forza Italia, Silvio Berlusconi, votoi në selinë e shkollës fillore në via Fratelli Ruffini në Milano.
“Është hera e parë që shoh radhë për të shkuar për të votuar. Nuk kam parë asnjëherë radhë në vitet e tjera”, tha ai teksa priste të hynte në qendrën e votimit së bashku me partneren e tij Marta Fascina.