Veniten planet e Sali Berishës për të marrë frenat e Partisë Demokratike. Përmes gjyqtarit Agron Zhukri, ish-kryeministri legjitimoi ndryshime statutore të 11 dhjetorit duke i dhënë kompetenca Komisionit të Rithemelimit. Por pavarësisht luftës së fortë të Berishë, çështja tashmë do të kalojë në Apel. Kryetari në detyrë Enkelejd Alibeja iu drejtua Gjykatës së Apelit duke kërkuar rrëzimin e vendimit të Zhukrit dhe kishte një debat të gjerë nëse legjitimohej ky apelim. Sot Gjykata e Apelit ka pranuar kërkesën e tij. Ka qenë gjyqtarja Blerina Muça, ajo e cila shprehet se Apelimi i Alibeajt pranohet.

“Ju informoj se sot më datë 22.04.2022, gjyqtare znj. Blerina Muça, në lidhje me kërkesën e paraqitur nga Partia Demokratike e Shqipërisë përfaqësuar nga z. Enkelejd Alibeaj, me objekt: Prishjen e Vendimit Nr. 1346/222 Akti, Nr. 3 Vendimi, datës 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me gjyqtar Agron Zhukri duke vendosur pushimin e gjykimit ose kthimin e saj për shqyrtim në të njëjtën gjykatë por me tjetër trup gjykues, vendosi në dhome këshillimi: – Pranimin e ankimit të palës ankuese, Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Nënkryetari i saj z. Enkelejd Alibeaj, ndaj Vendimit Nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. – Kundër vendimit nuk lejohet ankim”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Kjo lëvizje duket se është një goditje e fortë për Berishën. Prej disa ditësh ish-kryeministri po bënte një luftë të fortë për të ndalur ankimin, por nuk ja doli. Berisha po sulmonte dhe shantazhonte Alibejn duke i kërkuar të tërhiqte padinë, por kreu në detyrë nuk e pranoi. Po ashtu Berisha sot akuzoi ambasadoren amerikane se po ndërhyn në gjyqësor. Pra të gjitha tregojnë se Berisha i trembet një vendimi kundër tij. Padia vetëm sa u pranua dhe vendimi do të jepet pas shqyrtimit, por sinjalet janë se vendimi i Agron Zhukrit mund të bjerë.

Por çfarë ndodh nëse Apeli rrëzon vendimin e Zhukrit?

I gjithë plani i Berishës bie. Një vendim i tillë do të lërë në fuqi statutin e vjetër të PD bashkë me ndryshimet e 18 dhjetorit. Komisioni i Rithemelimit nuk do të quhet ligjor dhe s’ka asnjë kompetencë. Të gjitha proceset e bëra deri më tani do jenë nul. Si zgjedhjet në degë ashtu dhe çdo vendim që ka marrë ky komision. Por goditja më e fortë do të jetë për Berishën. Kuvendi i 18 dhjetorit miratoi një rezolutë ku ndalon personat “non grata” të garojnë në zgjedhje. Kjo do të thotë se Berisha nuk bëhet dot kryetar i PD. Po ashtu, nëse Apeli rrëzon Zhukrin, procesi për të zgjedhur kryetarin e ri do të organizohet nga Alibeaj. Plani i Berishës ishte që ky proces të bëhej nga Komisioni i Rithemelimit, por gjithçka po i rrëzohet. Me pak fjalë, nëse Apeli lë në fuqi statutin e vjetër, Berisha nuk ka asnjë shans të marrë kreun e PD.