Disa bashkëpronarë janë porositësit e zjarrit në SArajet e Toptanëve, objekt i shpallur monument kulture, ku kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj drejtoi gishtin edhe te ish-presidenti Bujar Nishani, gruaja e të cilit është një nga bashkëpronaret. Në intervistën për Report Tv, ndonëse nuk ka përmendur me emër konkret, por iu referuar “si ish-presidenti që qau për lodrat te Liqeni”, duke lënë të nënkuptuar Bujar Nishanin, Veliaj tha se ka lobuar te ai për të ndërtuar kulla në truallin ku është ndërtuar godina e Sarajeve.
“Shikoni cili president i republikës vrapon menjëherë te këndi i lojërave dhe te teatri, dhe nuk reagon për djegien e një monumenti kulture, shikoni dokumentet e hipotekave dhe do e kuptoni. Kanë provuar lobim dhe te unë dhe funksionarë të qeverisë, aty ku janë pronarë nuk e kanë problem të lobojnë që të ndërtojnë kulla, të djegin muze, dyfytyrësia e tyre më shqetësojnë, kanë problem kur ndërtohet vetëm në Tiranë kur ndërton tjetri”, tha Veliaj.
Sipas Veliaj, zjarrvënie ndodhi mbrëmë në darkë, pasi sot shënohet dhe afati i fundit i procedurës së shpronësimit për këtë godinë dhe me këtë akt, për kryebashkiakun porositësit politikanë, e bën me shpresën se mund të pengonin shpalljen e sarajeve muze dhe përdorimin e truallit për ndërtim.
“Ne e kemi filluar procesin e shpronësimit që në janar të 2021 dhe jemi në muajin e 8 dhe ky proces zgjat 1-2 vite. Ajo që përkonte sot në të gdhirë ishte afati i procedurës finale të shpronësimit, ku botohet siç ishte botuar sot shpallja për shpronësim dhe duke qene se kjo ishte dita e fundit është menduar nga keqbërësit që të provonin fatin ose fatkeqësinë e tyre duke djegur ndërtesën. Është një skemë e njohur nga keqbërësit në tiranë. Më vjen keq ta them por edhe në rrethet private të bashkëpunëtore e kam pasur një nuhatje për të penguar procesin e shpronësimit. Kama pasur një ndjesi që diçka e çuditshme do të bëhej’, tha Veliaj.
Numri një i kryeqytetit tha se kishte marrë premtimin nga kryeministri Edi Rama se në mbledhjen e parë të qeverisë do të bëhet dhe procedura e shpronësimeve dhe prona do i kalojë Bashkisë që më pas do të shndërrohet në muze. Zjarri te Sarajet e Toptanëve u regjistrua rreth orës 12:00, ku një person është kapur nga kamerat e sigurisë teksa largohej me vrap pasi kishte vënë flakën. Nga sa është raportuar ka pasur 2 vatra zjarri të vendosura në pjesën e pasme të godinës, të cilët fatmirësisht janë shuar në kohë, duke minimuzuar dëmet materiale. Nga sot, kjo godinë do të ruhet me policë 24 orë në 7 ditë të javës.