Shtrembërimi i fjalëve të ambasadores Yuri Kim nga disa media, për një deklaratë në lidhje me zgjedhjet e 25 prillit, ka bërë që kryediplomatja amerikane të reagojë disa herë.

 Kim tha mëngjesin e sotëm se kishte parë disa tituj “keqinformues” që në fakt e kishin paraqitur deklaratën e saj sikur shprehte preferencë për një forcë politike.

“Unë shoh disa tituj keqinformues. Ju lutemi shikoni të gjithë intervistën. Shtetet e Bashkuara NUK mbështesin ndonjë kandidat ose parti të veçantë – Shtetet e Bashkuara mbështesin të drejtën e qytetarëve për të bërë të ditur vullnetin e tyre përmes votës së tyre. Shtetet e Bashkuara paralajmëron kundër atyre që e mohojnë këtë të drejtë duke blerë vota ose duke frikësuar votuesit”, deklaroi Kim menjëherë pas intervistës në emisionin Përballë, mbrëmjen e djeshme me gazetarin Lutfi Dervishi.

Por ditën e sotme, intepretimet e deklaratës së Kim kanë vijuar, këtë herë nga Artur Zheji, ndonëse ambasadorja e SHBA e sqaroi se çfarë nënkuptonte.

Kim ka postuar pak çaste më parë videon me interpretimin që Zheji i ka bërë deklaratës së saj, dhe shkruan se kjo “s’është ajo që thashë apo nënkuptova”.

“Kjo NUK është ajo që thashë / mendoja. Ja çfarë thashë: SHBA NUK mbështet ndonjë kandidat apo parti të veçantë. SHBA mbështet të drejtën e qytetarëve për të shprehur vullnetin e tyre përmes votës së tyre. SHBA paralajmëron ata që e mohojnë këtë të drejtë duke blerë vota ose duke frikësuar votuesit”.

VERITAS.COM.AL