TIRANË– Prej gjashtë muajsh vijon të zvarritet në GJKKO gjykimi ndaj ish kryeministrit Sali Berisha dhe të pandehurve të tjerë të dosjes Partizani.

Edhe seanca e sotme, në të cilën do të vendosej për kalim apo jo për gjykim të dosjes, është shtyrë. Gazetari Ervin Leka tha për ABC News së avokatët mbrojtës kërkuan më shumë kohë për të argumentuar pretendimet e tyre përse cështja duhet të mbyllet. Pasi dëgjoi palët, gjyqtarja Fjorela Davidhi, vendosi të shtyjë seancën për më datë 23 prill ora 13:00.

Që nga dhjetori i vitit 2023, Sali Berisha është marrë i pandehur nga SPAK për korrupsion në dosjen e aferës “Partizani”, pasi akuzohet se me një sërë veprimesh të paligjshme i hapi rrugë privatizimit të ish kompleksit sportiv Partizani ku përfitues është dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, i pandehur gjithashtu.

SPAK e akuzone ish kryeministrin Sali Berisha për korrupsion pasiv dhe përfitim, përmes Jamarbër Malltezit, të 5.4 milionë eurove që ky i fundit i ka përfituar si aksioner i kompanisë Homeplan.
Sipas prokurorisë, Malltezi ka përfituar aksione dhe dividente nga kjo kompani pa investuar te ajo, gjë që ngre dyshime se aksionet janë dhënë nga Bektashi në shkëmbim të veprimeve shtetërore të ndërmarra nga Berisha në favor të kompanisë, e cila njihet për zhvillimin e një blloku të madh banimi në Tiranë.

Berisha akuzohet se ka lehtësuar procesin e zhvillimit të zonës në fjalë, përmes akteve ligjore dhe nënligjore si dhe përmes ushtrimit të kontrolleve të presionit ndaj institucioneve të ndryshme qeveritare me qëllim përshpejtimin e procedurave. Berisha akuzohet se ka përdorur pushtetin e tij si kryeministër në përfitim të bashkëshortit të vajzës./

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *