Nga Vlora nisën sot festimet për 110 vjetorin e Pavarësisë, ku në Sheshin e Flamurit u zhvillua ceremonia e ngritjes së flamurit kuqezi, nën tingujt e himnit kombëtar. Vlora, aty ku në 1912 Ismail Qemali ngriti flamurin duke e shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur, do të jetë epiqendra e festimeve për ditën e sotme.

Ky 110-vjetor ka bërë bashkë krerët më të lartë të shtetit shqiptar dhe atij të Kosovës, të cilët morën pjesë në ceremoni, ndërsa bënë homazhe pranë monumentit simbol të përpjekjeve dhe sakrificave të patriotëve shqiptarë për pavarësi.

I vetmi që mbajti fjalë ishte kreu i shtetit, Bajram Begaj i cili uroi të gjithë shqiptarët në këtë ditë të shënuar, ndërsa vuri theksin tek përkushtimi ndaj atdheut. Teksa vlerësoi arritjet e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, Begaj theksoi se vendi ynë ka endë shumë rrugë përpara, prandaj edhe përçoi mesazhin për ta dashur më shumë Shqipërinë, me vepra e idealizëm njëjtë si heronjtë që nderohen ditën e sotme.

“Brezat të mos harrojnë, që të kujtojnë me mirënjohje paraardhësit e tyre dhe të mbushen me krenari për atdheun, flamurin dhe identitetin kombëtar. (…) Pavarësisht arritjeve, kemi rrugë të gjatë përpara. Por ajo që duhet të bëjmë, më së pari, është ta duam atdheun me vepra, me shërbim dhe idealizëm, ashtu si patriotët e mëdhenj, që nderojmë sot”, tha Begaj.

Presidenti i bëri thirrje Shqipërisë për të qëndruar krah për krah Kosovës në rrugëtimin e saj europian, ndërsa tha se duhet të bëhet zëri i saj në arenën ndërkombëtare.

“Shqipëria mundet dhe duhet të mbështesë fuqizimin e shtetit të Kosovës në çdo drejtim, të jetë zëri i saj sa herë të jetë e nevojshme; bashkëudhëtare dhe mbështetëse e palëkundur e rrugëtimit të saj Euro-Atlantik”, vijoi Begaj.

Në ceremoninë festive për ngritjen e flamurit, mori pjesë presidenti Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, kryebashkiaku Dritan Leli, si edhe krerët e shtetit të Kosovës, kryeministri Albin Kurti, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Shqipëria feston sot 110-vite nga krijimi i shtetit. Më 28 Nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë duke shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur. 28 Nëntori njihet ndryshe edhe si Dita e Flamurit, një ditë e rëndësishme për mbarë shqiptarët në trevat shqiptare dhe anembanë botës.