Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë verdiktin e saj sot për 6 trafikantët e drogës së Divjakës, bashkëpunëtorët e pilotit italian Xhorxhio Riformato. Dënimi më i lartë është 14 vjet dhe më i ulti, 10 vjet burg; në total, 70 vite burg për shqiptarët, që janë gjykuar veçmas italianit.Konkretisht për:
Saimir Bajramaj 14 vjet burg
Mariglen Ymeraj 14 vjet burg
Orgest Bilbili 11 vjet burg
Kristian Demçe 11 vjet burg
Kleviol Ahmeti 10 vjet burg
Aurel Pupe 10 vjet burg
Të gjithë thuajse do të përfitojnë ulje dënimi për shkak të pranimit të gjykimit të shkurtuar. Bajramaj dhe Ymeraj do të kryejnë 9 vjet e 4 muaj burg; Pupe, Bilbili e Demçe afro 7 vjet dhe i vetmi që nuk do të përfitojë është Ahmeti.

HISTORIA – ME 10 MAJ 2014
Një avion i vogël tip “Piper” u gjet nga policia në bregdetin e Divjakës në orët e pasdrekës së të shtunës të datës 10 maj 2014 në rrethana misterioze. Dyshimet e para ranë mbi dy pista, atë të defektit dhe atë të trafikut të drogës, pasi në të njëjtën ditë, por në një rrugë tjetër të Divjakës u kap edhe një makinë me një sasi të konsiderueshme kanabisi.

Kërkimi për avionin nisi pas alarmit të dhënë nga Rinasi. Mjeti fluturues, sipas burimeve të para, i përkiste një shtetasi italian që kishte mbërritur në Shqipëri dy ditë më parë, në aeroportin e Rinasit, me leje të rregullt nga autoritetet e Aviacionit Civil, leje me numër 193, dhënë më datë 5 maj.
Sipas burimeve jozyrtare, avioni kishte qëndruar në pistën e Rinasit për dy ditë, deri të shtunën në drekë, rreth orës 13:30 kur mori lejen për t’u ngritur në një udhëtim panoramik. Të njëjtat burime i thanë Top Channel se pas ngritjes në fluturim, pas orës 14, avioni humbi kontaktin me Kullën e Rinasit dhe prej këtej u dha alarmi, sipas protokollit të veprimit.
Menjëherë u lajmëruan autoritetet përkatëse dhe policitë në qarqet e Fierit dhe Vlorës u vunë në kërkim të ndonjë vendi uljeje të mundshme të avionit, deri sa ai u pikas në bregdetin e Divjakës.
Burime lokale të policisë thanë se avioni u gjetur me hundë në rërë, ndërkohë që alarmi për mundësinë e trafikut të drogës lindi sepse po në Divjake, po të shtunën, në një tjetër rrugë u kap edhe një makinë me rreth 460 kilogramë kanabis sativa.
Policia pasi rrethoi vendngjarjen arrestoi drejtuesin e mjetit, i cili sipas policisë është shtetasi Saimir Bajrami, i cili u përpoq t’i shpëtonte rrethimit, por u arrestuar dhe gjithashtu iu konfiskuan 27 mijë euro.
Ndërkohë, policia shoqëroi edhe pilotin Italian i cili u mor ne pyetje. Piloti nuk pranoi të ketë pasur lidhje me drogën por pretendoi vetëm për një avari teknike në avion.
Megjithatë, policia bëri me dije se do ta mbajë të shoqëruar pilotin edhe në orët në vazhdim, ndërkohë që marrja në pyetje e Bajramit pritet të zbulojë nëse trafikanti dhe piloti kishin lidhje me njëri-tjetrin