Frrok Çupi/

Marrëveshja e Paqes e presidentit Donald Trump për Lindjen e Mesme (Izrael- Palestinë), ka ngjallur jo vetëm fantazinë politike, por edhe kalkulime reale apo ‘zeher paragjykues’ dhe inferior këtu në Ballkan. Kanë nisur ta shikojnë Ballkanin (Kosovë- Serbi), në një paralele Izrael- Palestinë.

Cila është fantazia politike?

Media në Kosovë dhe Serbi po shkruan se paska një marrëveshje të dytë të Trump, njësoj si ajo e Izraelit dhe Palestinës, dedikuar Ballkanit (Kosovë- Serbi). Mund të jetë, por kush e ka parë? Kjo është vija mes reales dhe jo reales… Këta që ‘e kanë parë’ thonë se marrëveshja është e njëjtë, përderisa ekipi që e ka hartuar ‘është i njëjtë’. Edhe kjo mund të jetë e vërtetë, por cili është ekipi, askush nuk e tregon… Publikimi i kësaj ideje duket si në trans, edhe e gjallë- edhe e vdekur; përderisa askush nuk ka parë gjë akoma.

Por edhe mund të dalë e vërtetë.

Cili është ‘nacionalizmi’ politik i afërt?

Ka kohë që politika dhe media (sorry, por jo aq mendjehapur) si në Prishtinë edhe në Tiranë ka kohë që po i sulen një ideje gati fantazmë e elaboruar nga qeveritë e katër shteteve ballkanike ‘mbi Shengenin Ballkanik’. Rezistenca nëpër studio televizive dhe faqe  gazetash qe vërtet bizarre, aq sa u bë sikur ideja e ‘Shengenit’ po i hante bukën Ballkanit. Mirëpo autorët që dyshojnë (ose kanë argumente të padukshëm) se Amerika po e aplikon këtë ide pavarësisht se jo me emrin ‘Shengen’, kanë tërhequr këto prova:

Prova e parë, se sipas strategjisë amerikane mbi konturet e një ‘Izraeli’ në Serbi- Kosovë, këtu është dërguar dora e fortë e Trump, ambasadori Richard Grenell. Projekti i tij për zgjidhjen e raporteve mes Beogradit e Prishtinës nis të realizohet këto ditë.

Prova e dytë, se ‘Amerikanët e kanë dërguar ambasadorin Grenell që të heqë taksën e qeverisë së Kosovës ndaj Serbisë dhe t’i bashkojë Serbisë veriun e Kosovës’.

Cili është ‘zeheri paragjykues’?

Fantazia (ndoshta një realitet) që presidenti Trump po punon mbi një projekt të marrëveshjes së paqes në Ballkan, lidhet direkt dhe thuajse pa korrigjime me marrëveshjen e paqes në Lindjen e Mesme. Këta thonë se njësoj si ‘ri përcaktimi i kufijve Izrael- Palestinë’, edhe në Ballkan do të ri kufizohen shtetet, dhe ‘Serbisë i mbetet pjesa veriore e Kosovës’. Pika e dytë: Njësoj siç kryeqyteti i Palestinës bëhet Jerusalemi Lindor ndërsa kryeqyteti i Izraelit- Jerusalemi; në Ballkan ‘Mitrovica bëhet një lloj Jerusalemi, e ndarë ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve…’.

Këta e shkruajnë gjithë programin me një zemëratë (zeher) negativiste e paragjykuese, sikur ‘Kosova do të na bëhet Palestinë’ sipas marrëveshjes së Trump(!). E paralelizojnë gjithë marrëveshjen pikë për pikë, deri te komunat, vendet e shenjta, blerja e shtëpive e deri te financimet…

A është ky një realitet? Nesër realiteti mund të jetë marrëveshja, por veç inferioriteti që të shtyn ta mendosh pikë për pikë si një ‘Palestinë’.

Cilat janë kalkulimet reale?

Kalkulimet reale na çojnë në një realitet që shikohet në sy: Është rritur dhe forcuar vëmendja e Donald Trump dhe Shteteve të Bashkuara në Ballkan, si një faktor për stabilitet në Evropë dhe në gjithë rajonin. Është e domosdoshme që situata e Kosovës dhe marrëdhëniet me Serbinë ( që mbetën në rrugë qysh pas Luftës), të ngrihen në nivele serioze shtetërore e produktive. Shtetet e Ballkanit Perëndimor, që vuajnë ( kush nga mosfunksionimi si psh., Bosnja; kush nga korrupsioni; kush nga krimi i organizuar apo nga plagët e vjetra, etj), të kthehen në normalitetin e kohës dhe të marrin e japin vlera qytetëruese. Rruga e prerë për influenca ruse ndaj territoreve ballkanike- ky është objektiv i shpallur.

Një marrëveshje e prirë nga presidenti i Shteteve të Bashkuara do të ishte guri vendimtar i rrugës së re evropianiste të shteteve dhe qytetarëve ballkanik. Akti i nisur në kryeqytetin e Shqipërisë për aplikimin e  një reforme të thellë në Drejtësi, është shëmbëlltyra reale e një ‘marrëveshjeje’, ose ‘plani’ ose ‘doktrine’ të Trump, për ta pastruar dhe përgatitur ‘xhunglën’ ballkanike drejt bashkëjetesës perëndimore…

A është ky një kalkulim real? Unë e besoj dhe e shpresoj.

VERITAS.COM.AL/