Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha padeklaruar sot se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, demokratët do të kërkojnë votën e qytetarëve për të realizuar reformën në drejtësi, nëse mazhoranca do ta sabotojë gjatë këtyre javëve në vazhdim.

 

Këtë deklaratë Basha e bëri në Asamblenë e Partisë Republikane, ku shtoi gjithashtu se populli duhet të ngrihet për të rrëzuar këtë qeveri dhe për të bërë zgjedhje të parakohshme, ose mazhoranca të marrë masa që zgjedhjet e ardhshme të jenë të lira dhe demokratike.

 

Kryetari i demokratëve akuzoi Kryeministrin Rama për keqqeverisje gjatë këtyre tre vite, për shkak të “paktit që bëri me krimin në vitin 2013”.

 

Basha shtoi gjithashtu se së bashku me Partinë Republikane dhe partitë e tjera opozitare, ofrojnë platformën dhe programin për nxjerrjen e vendit nga kriza, që sipas kryedemokratit është zhytur në recesion për shkak të vjedhjes në Dogana dhe Tatime.

 

“Pakti me krimin në vitin 2013 filloi të japë rezultatin e saj pas zgjedhjeve. Me një shtet të kriminalizuar të shoqërisë nuk ka si luftohet korrupsioni, por arrin nivele të paimagjinueshme. Në një vend ku krimi bashkëqeveris, merr vendime për cdo tender. Dogana dhe tatimet janë kthyer në makthin e bizneseve të ndershme. Këto janë produktet e drejtpërdrejta të rilindjes së krimit dhe bashkëqeverisjes së saj. Kjo opozitë imponoi ligjin për dekriminalizimin.

 

Nuk erdhi si një vullnet i përbashkët. Platforma jonë është rruga e daljes nga kriza e gjithanshme. Jemi të bashkuar në vlera dhe në zgjidhje. Shqipëria do të ketë një sistem zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. Pyetja është a do t’ia dalim bashkë me sovranin sot? Apo do t’i bëjmë thirrje sovranit për zgjedhje të parakohshme?

 

Ne e kemi thënë fjalën tonë, nuk kërkojmë asgjë më shumë se rekomandimi 88. Nëse kjo mazhoranca është vendosur ta sabotojë reformën ne drjetësi, ne paralajmërojmë shqiptarët se opozita votën në zgjedhjet e ardhshme do ta kërkojë edhe për një refomë në drejtësi larg duarve të Edi Ramës dhe sipas standardeve të Venecias”, tha kryetari i PD Lulzim Basha.