Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot projektin ‘Bashkia që duam’,  në Durrës, në prani të shumë qytetarëve durrsak të interesuar për projektin qeverisës të katër viteve që vijnë. Në takim ndodhej edhe kryetari aktual i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, i cili shprehu hapur vullnetin e tij ‘për të punuar akoma’. Por oferta e Dakos nuk shkaktoi asnjë reagim te kryeministri Rama.

Vangjush Dako është përmendur kohët e fundit nga opozita si i përzierë në afera të blerjes së votave- sipas disa bisedave të regjistruara me eksponentë të dyshuar si ‘blerës votash’ në Shijak dhe Durrës.

Rama e vlerësoi punën e bërë nga Dako në Bashki, tha se zgjedhjet vendore do të mbahen me çdo kusht, por nuk tha emrin e kandidatit për Bashkinë e qytetit bregdetar.

“Ne jemi duke u përgatitur për zgjedhjet e 30 qershorit, do shkojmë për ato shumë gjëra që duhet të bëjmë. Përpara 4 vitesh ju kemi thënë se do zgjidhet problemi i kanalizimeve dhe do jetë drejt zgjidhjes furnizimi me ujë dhe kjo ka ndodhur.

Do transformojmë Porto- Romanon në një park të ri. Nuk diskutohet se janë një sërë projektesh të mira e kësaj bashkie falë Vangjushit që ka pasur projekte”.

Kryeministri Rama, me këtë rast, iu përgjigj edhe disa sloganeve të opozitës që ‘kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare’,  por nuk pranon të marrë pjesë në zgjedhjet për pushtetin lokal.

‘Kështu që mos dëgjoni jo po do bëhen zgjedhje të parakohshme, jo po do shtyhen, jo po do vijnë ndërkombëtarët do thonë meqë po qan Luli jepi biberonin. I dhamë 15 biberonë para dy vitesh, ai prapë nuk rritet. Le të rrijë në rrugë dhe të forcohet të bëhet gati më 2021. Se dëgjova dhe këtë juristin Bylykbashin ‘jo nuk hyjmë në zgjedhje’. Ti mos hy se i humbur del prapë. Ne do i bëjmë zgjedhjet si me ata, si pa ata. Sa herë ju ka rraf Dako kur e kishit ju qeverinë? Nicja ishte me ju, po kjo nuk na shqetëson. Nuk është detyra jonë të rrisim opozitën. Vazhdojmë rrugën përpara për Durrësin që duam”,- tha Rama, por pa rikandiduar Dakon.

Ra në sy se kryeministri Rama ndodhej mes Dakos dhe Çelës që përmendet si kandidat në vend të Dakos.

Veritas.com.al/