Departamenti Amerikan i Shtetit rendit ish-kreun e KED Ardian Dvoranin mes 12 personaliteteve më të spikatur në luftën kundër antikorrupsionit në botë, një vlerësim ky që vjen pas sulmeve të njëpasnjëshme që i janë bërë nga presidenti i republikës Ilir Meta. Këtë vlerësim të DASH, Dvorani tha për Report Tv se sapo e ka marrë vesh përmes medieve, ndërsa momentalisht shtoi se ndodhet në gjyq.

Ky vlerësim vjen si një “goditje” për Ilir Metën, pasi Dvorani ishte i vetmi gjykatës që u shpreh kundër Metës në procesin e skandalit të video-përgjimit të Dritan Priftit.  Ardian Dvorani ka qenë kryesues i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë që në 2012 dha vendimin unanim të pafajësisë së Ilir Metës. i cili që pas videos së publikuar nga Dritan Prfiti, akuzohej për korrupsion. Ndërkohë në përlasjen mes Metës dhe Dvoranit, shumë kanë mbështetur këtë të fundit duke deklaruar se presidenti po e sulmon, pasi ai ka qenë i vetmi gjyqtar kundër pafajësisë së Ilir Metës në 2012. Në të vërtetë Dvorani ka votuar pro pafajësisë por ka shfaqur rezerva mbi disa akte proceduriale të ndjekura dhe vendime të ndërmjetme të Gjykatës së Lartë me administrimin e pronave.

Por nuk ështëi vetmi rast, pasi kujtojmë se plotësimi i Kushtetueses solli përplasje mes Ardian Dvoranit dhe presidentit dhe si pasojë ky i fundit e kallëzoi atë në SPAK. Le të kujtojme se në kuadër të pengimit të implementimit të reformës në drejtësi, presidenti Meta ndërmori një sulm të ashpër ndaj Dvoranit me një sërë akuzash publike.

Presidenti Ilir Meta kërkoi largimin e Ardian Dvoranit nga detyra me argumentin se pas zgjedhjes së tre anëtarëve të rinj në Gjykatën e Lartë në mars të këtij viti, atij i kishte mbaruar detyrimi kushtetues për të qëndruar më në detyrë. Në luftën e ftohtë mes KED-së së drejtuar nga Dvorani dhe Presidentit, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi të marrë një mendim nga EURALIUS dhe OPDAT. Por si EURALIUS dhe OPDAT refuzuan të japin opinion në lidhje me rastin e mandatit të Ardian Dvoranit.

Deklarata e DASH për nderimin e personaliteteve në luftë me korrupsionin:

Korrupsioni kërcënon sigurinë dhe stabilitetin, pengon rritjen ekonomike, minon demokracinë dhe të drejtat e njeriut, shkatërron besimin në institucionet publike, lehtëson krimin ndërkombëtar dhe dëmton rëndë burimet publike dhe private.
Administrata e Biden është e vetëdijshme që ne do të jemi të suksesshëm në luftimin e këtyre çështjeve duke punuar në bashkëpunim me partnerë të përkushtuar,  duke bashkëpunuar me individë të guximshëm që përkrahin luftën kundër korrupsionit dhe me vende që punojnë për të përmbushur zotimet e tyre ndaj standardeve ndërkombëtare të antikorrupsionit.

Për atë arsye, unë kam krijuar një Çmim të ri Ndërkombëtar për Antikorrupsionin, duke vlerësuar individë që kanë punuar pa u lodhur, shpesh përballë fatkeqësive të mëdha për të mbrojtur transparencën, për të luftuar korrupsionin dhe për të siguruar që të ketë vënë llogaridhënie në vendet e tyre.
Siç e ka theksuar edhe Presidenti Biden, angazhimi ynë për të vërtetën, transparencën dhe llogaridhënien është një mision që ne duhet ta arrijmë në vendin tonë dhe jashtë saj.  Unë përgëzoj përkushtimin e këtyre 12 individëve të guximshëm të cilat kanë luftuar për realizimin e këtyre idealeve. Të nderuarit janë: Ardian Dvorani  nga Shqipëria, Diana Salazar nga Ekuadori, Sophia Pretrick nga Federata e Mikronezisë, Juan Francisco Sandoval Alfaro nga Guatemala, Ibrahima Kalil Gueye nga Guinea, Anjali Bhardëaj nga India, Dhuha A. Mohammed nga Iraku, Bolot Temirov nga Republika e Kirgistanit, Mustafa Abdullah Sanalla nga Libia, Viktor Sotto nga Filipinet, Francis Ben Kaifala nga Sierra Leone dhe Ruslan Ryaboshapka nga Ukraina.

Ata na frymëzojnë ne dhe shumë homologëve të tyre të ndjekin këto ideale në të gjithë botën. Shtetet e Bashkuara kanë një nga kornizat më të fuqishme antikorrupsion në botë. Ne ishim të parët që kriminalizuam ryshfetin e huaj dhe vetëm në dy vitet e fundit në partneritet me homologë të huaj, kemi rikthyer më shumë se 1 miliard dollarë në pasuri të vjedhura publike. Ne përdorim një sërë mjetesh për të promovuar llogaridhënien nga individët e korruptuar, për të luftuar pandëshkueshmërinë globalisht dhe për t’u angazhuar në forume shumëpalëshe për të luftuar korrupsionin dhe rritur angazhimin e qytetarëve. Ne do ta mposhtim korrupsionin duke zbatuar reforma të qëndrueshme në përputhje me angazhimet ndërkombëtare; zhvillimin e institucioneve transparente dhe të përgjegjshme;  fuqizimin e qytetarëve, gazetarëve dhe organizatave të shoqërisë civile për të ndihmuar në mposhtjen e këtij kërcënimi global ndaj sigurisë dhe demokracisë.