Nga Qamil Xhani/ kryeredaktor i gazetës “Koha Jone”

Më tezat që ka hedhur pardje në Prishtinë, kryeministri Edi Rama u ka dhënë disa argumente më shumë serbëve dhe gjithë vendeve që prej dekadash flasin për rrezikun e “Shqipërisë së Madhe”. Me dashje apo dashje Edi Rama u ka bërë një shërbim ekselent Serbisë dhe Greqisë, të dy vend sllavo-ortodokse, në thelb kundër shqiptarëve në përgjithësi dhe kosovarëve në veçanti.

Në fjalën e kryeministrit Rama janë dy momente që flasin hapur për bashkimin kombëtar dhe territorial mes Shqipërisë dhe Kosovës. E para është zgjedhja e një presidenti të përbashkët të dy vendeve, pas 10 vitesh. “Kosova dhe Shqipëria do të kenë një politikë të jashtme e jo veç ambasada dhe përfaqësi diplomatike të njëjta, por pse jo, një president, simbol të unitetit kombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë”,- tha Kryeministri Rama.

Ideja e dytë është shfaqja hapur e idesë së bashkimit kombëtar. Rama tha se “Kosova dhe Shqipëria, sot janë dy realitete formalisht të ndara administrative, por tanimë, si pjesë e një rrëfimi të përbashkët historik, një ndjenje të unifikuar kombëtare dhe të një interesi të pandashëm politik, ato tashmë jetojnë në një fushë të njëjtë mediatike, në një ndërveprim të natyrshëm ekonomik, në një bashkëveprim politik dhe institucional të vazhdueshëm, në funksion të përafrimit të pandalshëm të programit kombëtar të së ardhmes”.

Natyrisht të gjithë e duam bashkimin kombëtar, por jetojmë në një realitet politik e global ku nuk janë faktorët për këtë bashkim. Përkundrazi tani vetëm sa i bën dëm shtetit shqiptar dhe atij kosovar, duke bërë si patriot i madh.

Që në fillim duhet sqaruar se nuk është gabim të flasësh për bashkëpunim vëllazëror dhe marrëdhënie speciale mes dy vendeve. Madje politika shqiptare dhe e Kosovës e ka detyrim këtë lloj bashkëpunimi. Por si kryeministër i Shqipërisë, Edi Rama ka folur më shumë vite vonesë për këtë çështje, në kohën e gabuar, në vendin e gabuar dhe në drejtimin e gabuar me projektet që ka Shqipëria dhe Kosova. Para Edi Ramës ka pasur një numër të madh politikanësh periferikë, shqiptarë dhe kosovarë, që kanë folur për nevojën e një projekti të tillë. Më i qarti në këtë ide dhe më i zëshmi është Albin Kurti. Por me dhënien e pavarësisë së Kosovës dhe njohjen si shtet më vete nga 115 vende të botës, realiteti dhe ëndrrat patriotike kanë ndryshuar. Edhe Albin Kurti, që njihet për retorikë të tillë, ka kohë që e ka ndryshuar mënyrën e artikulimit pas frenimit që i është kërkuar në mënyrë të përsëritur nga BE dhe SHBA. Retorika të tilla, si ajo e Edi Ramës, janë cilësuar të dëmshme dhe kanë penalizuar të dy vendet.

Në mediat ndërkombëtare dje, bashkë me lajmet për 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe rrugën e mundimshme të këtij shtetit të ri, citohej dhe fjala e Edi Ramës për “president të përbashkët”. Pas kësaj shtohej se Serbia e ka kundërshtuar pavarësinë e Kosovës duke argumentuar se “pas saj fshihet projekti i Shqipërisë së madhe”. Edhe nëse ideja e “Shqipërisë së Madhe”, deri dje merrej si humor në Bruksel apo gjetkë, Edi Rama me vetëdije e ka futur në axhendën zyrtare. Prova është fjalimi artistik që mbajti në selinë e Kuvendit të Kosovës. Edi Rama mund të marrë disa pikë në rrjetet sociale për këto deklarata dhe ndonjë duartrokitje, por dëmi që ka shkaktuar është shumë herë më i madh. Sherri i qëndrimeve të tilla të papjekura dhe pa konsultuara në Tiranë dhe as në Prishtinë mund të shihet më vonë. Kjo i jep dorë presidentit serb Vuçiç që të turret kah copëtimit të tokës kosovare, me argumentin e tyre se “derisa Kosova do bashkohet me Shqipërinë, atëhere ta ndajmë një pjesë të Kosovës dhe le të bashkohet me Shqipërinë”. Kjo i shërben vetëm Serbisë dhe Vuçiç.

Dëmi i parë që bëri dje në Prishtinë Edi Rama është ndaj vet Kosovës. Drejtuesit e shtetit të Kosovës këto muaj do të zhvillojnë negociata me Serbinë për çështjet më delikate. Rama ka dëmtuar gjithë procesin duke vënë në pikëpyetje seriozitetin e  delegacionit të Kosovës. Sepse me qëndrimet e tij, Rama ka lënë të kuptohet se serbët duhet të negociojnë dhe me qeverinë në Tiranë. Sado patriotike ti duket dikujt kjo ide, në fakt hedh në erë gjithë negociatat e tanishme mes Serbisë dhe Kosovës.  Praktikisht ai ka bllokuar njohjet e reja diplomatike të shtetit të Kosovës nga dhjetra shtete të cilët hezitojnë ose që Serbia dhe Rusia i kanë nën varësinë e tyre miqësore e politike.

Edi Rama ka hyrë mes tyre si nacionalist duke u dhënë një tezë më shumë serbëve për të mos pranuar njohjen e Kosovës. Ka thënë në Prishtinë pikërisht tezën që Serbia e përdor në gjithë kancelaritë e botës kundër njohjes së Kosovës. Ndërkohë dhe vendet e tjera të BE që janë në dilemë për njohjen e Pavarësisë së Kosovës, tashmë do të kenë arësye më shumë për tu frenuar. Spanja dhe vende të tjera që nuk e njohin Kosovën, tani normalisht mund të shtojnë një tjetër argument që ua dha falas kryeministri Rama: Përse duhet të njohim Kosovën si shtet, kur nesër do të bashkohet më Shqipërinë?

Deklarata e Ramës, në cilësinë e kryeministrit të Shqipërisë, është e gabuar dhe për zhvillimet politike në Kosovë. Në këto 10 vite Kosova ka një projekt të qartë të mbështetur nga SHBA dhe BE, integrimin e saj në NATO dhe në Bashkimin Europian. Me idetë e tij, Rama vetëm sa ka minuar këto projekte, duke lënë të kuptohet se Kosova ka një projekt tjetër të fshehtë. Ndërsa edhe nga ana etike qëndrimi i Ramës nuk është korrekt. Me kë u konsultua nga shteti i Kosovës për një projekt të tillë?  Nga ana tjetër, Rama ka nxjerrë jashtë loje gjithë diplomacinë e Tiranës zyrtare gjatë këtyre viteve në favor të Kosovës. Kryeministra dhe ministra të Jashtëm të Shqipërisë këto 10 vite kanë kërkuar në çdo takim me vendet që nuk e njohin Kosovën, pikërisht njohjen e pavarësisë si shtet me vete. Argumentet për njohjen, lidhen me stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perendimor. Tashmë çdo kërkesë e Tiranës, falë Ramës, do duket si lobim i një projekti që nuk ka të bëjë me shtetin e ri të Kosovës.

Dëmi tjetër i madh i ideve të Edi Ramës është ndaj vet Shqipërisë. Greqia dhe prej disa vitesh në Bruksel flet për idenë e “Shqipërisë së Madhe”. Në strategjinë e fundit të Bashkimit Europian për Ballkanin theksohet vendet e rajonit do të hyjnë në BE kur të kenë zgjidhur problemet kufitare me fqinjët. Me këtë deklaratë, Edi Rama u ka dhënë një tjetër argument grekëve dhe serbëve për të kundërshtuar integrimin e vetë Shqipërisë.

Edi Rama nuk është shquar ndonjë herë për ide nacionaliste dhe as vizione prej “babai të kombit”.  Erdhi në pushtet si një politikan që kishte si busull integrimin e Shqipërisë në BE dhe zbatimin e gjithë strategjive të SHBA e BE për zhvillimet në rajon. Por në Prishtinë u shfaq si një politikanët populist që SHBA dhe BE prej vitesh mundohen ti largojnë. Si politikan mund të mbajë çfarëdo qëndrimi. Si Kryeministër i Shqipërisë kur hedh teza të tilla në publik dhe do të duket si “baba i kombit”, më shumë i prish punë Shqipërisë dhe Kosovës, sesa rregullon. Zëdhënësja e KE, Catherine Ray, tha këtë të hënë se këto deklarata janë të papranueshme. “Deklarata që mund të interpretohen si një ndërhyrje politike në vendet fqinje nuk ndihmojnë në ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore,” tha ajo. “BE pret që në të gjithë rajonin të vazhdojë ndërtimi i marrëdhënieve konstruktive dhe bashkëpunuese”. “BE ka vazhduar të mbështesë parimet e pajtimit dhe bashkëpunimit në këtë rajon”, vazhdon sot deklarata e BE.

Nuk nxitohemi se kryeministri shqiptar është keqdashës, pasi nuk shkon dhe nuk duam ta mendojmë, porse me atë deklaratë idiote në Prishtinë ka shkatërruar krejt diplomacinë kosovare, edhe atë shqiptare, duke u dhënë kartën më të fortë shteteve të tjera që të mos e njohin Kosovën, pasi fare mirë justifikohen se “pse duhet ta njohim një shtet si Kosova, e cila ka në plan të bashkohet me një shtet tjetër si Shqipëria?!”.

Nëse donte SHBA ta bashkojë me Shqipërinë, Kosovën, e bën Uashingtoni, pasi Amerika është supërshtet dhe aleat strategjik i shqiptarëve. Por SHBA po lobon fort për njohje të tjera të Kosovës që të pranohet në OKB si shtet anëtar, ndaj deklarata në gojën e kryeministrit shqiptar është shkatërruese për të ardhmen e Kosovës në BE dhe në NATO.

Veritas.com.al/