Gazeta Express e Kosovës raporton se është arrestuar në Kosovë Albert Veliu, dëshmitari X në audio-përgjimin me vëllain e ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, Fatmir Xhafaj. Në audion e publikuar nga Partia Demokratike, Veliu dhe personi që mendohet se është Agron Xhafaj, flasin për pazare droge.

Albert Veliu prej 4 ditësh ishte larguar nga Shqipëria, dhe ka rënë në prangat e policisë së Kosovës në Shtime gjatë ditës së djeshme (27 maj), ku është shoqëruar bashkë me të birin.

Në dëshminë e tij, Veliu përmend edhe të birin, kur thotë se pas publikimit të skandalit, kreu i Krimeve në Vlorë ka vizituar djalin në punë, në lokalin ku punonte kamerier, edhe i ka thënë se “do të të ruajmë babain”. PD e shfrytëzoi këtë pjesë të dëshmisë për të thënë se Veliu dhe familjarë të tij janë kërcënuar dhe se dëshmitari “X”, tashmë kishte kaluar nën mbrojtjen e Partisë Demokratike, raporton Express.

Burime konfidenciale thonë se Veliu është arrestuar në lidhje me historinë e skandalit të publikuar në Shqipëri, vendim për të cilin janë njoftuar edhe autoritetet në Shqipëri.

Partia Demokratike publikoi fillimisht vetëm audion e një bisede mes një dëshmitari X, emri i të cilit nuk dihej, dhe personit të dytë që për PD-në është Agron Xhafaj. Më tej, kur mbi këtë skandal u hodhën hije dyshimi mbi besueshmërinë e tij, kreu demokrat Lulzim Basha, zbuloi emrin e dëshmitarit: Albert Veliu nga Vlora.

Ky përgjim u bë nga gazetari investigativ Jetmir Olldashi, i cili dorëzoi audio-përgjimin në PD. Për çështjen kanë nisur hetimet, ndërsa audio është dërguar për ekspertizë, për tu faktuar nëse bëhet fjalë për zërin e Agron Xhafës apo jo.

Vëllai i ministrit të Brendshëm, aktualisht ndodhet në Itali, ku shkoi për t’ju dorëzuar autoriteteve italiane në lidhje me një vendim të formës së prerë që është marrë kundër tij në vitin 2012. Të njëjtin vendim, ishte Partia Demokratike që e publikoi ku Agron Xhafaj rezulton i dënuar me 7 vjet e 2 muaj burg për trafik droge.

Edhe vetë dëshmitari X rezulton të jetë i dënuar për trafik droge, dhe pasi kishte fituar lirinë pas vuajtjes së dënimit, realizoi bisedën me Agron Xhafaj për t’i kërkuar mbështetje për një tjetër trafik droge. Në dëshminë që Veliu ka dhënë për gazetarin Olldashi, të publikuar sërish nga PD, dëshmitari thoshte se e bëri të gjithën këtë për të provokuar Agron Xhafën, dhe për të parë nëse ai do ti dilte në ndihmë, Kjo, pasi sipas Veliut, gjatë kohës që ky i fundit ka qëndruar në burg, Agron Xhafaj nuk i çoi as një paketë cigareje në qeli.

Ky rast u bë shkak që opozita shqiptare të nisi protesta kundër ministrit të Brendshëm Fatkir Xhafaj duke kërkuar dorëheqjen e tij. Por Xhafaj tha se do ta ndërmarrë një akt të tillë vetëm nëse faktohet se vëllai i tij është i përfshirë. Në reagimet e Xhafajt, kjo gjë ka pak gjasa të ndodhë, pasi ministri i Brendshëm ka folur me bindje se audio-përgjimi është manipulim nga ana e PD-së, ndërsa nuk ka nguruar të paralajmërojë me ndjekje penale liderin demokrat Basha kur hetimet të faktojnë sipas tij, se e gjitha ishte mashtrim.

Veritas.com.al/