Sot, e shtune, ishte parashikuar një mbledhje e KQZ, që sipas zyrtarëve të institucionit, do të vendoste çfarë do të bëhet me zgjedhjet e dubluara të 13 tetorit. Ashtu si gjithë çështja ka hyrë në një absurd, sepse zgjedhjet sapo u bënë në 30 qershor, edhe vetë mbledhja e parashikuar e KQZ mori formën e një absurdi: Askush nuk u paraqit në mbledhje, përveç kryetarit Zguri.

Disa parti që nuk morën pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit, janë penduar dhe duan të vijnë në zgjedhje në 13 tetor, sipas një dekreti të dytë të presidentit, që është konsideruar ‘nul’.

Dje aleatët e Partisë Demokratike i dërguan një letër KQZ-së ku i kërkonin të niste proceduarat për zgjedhjet e 13 tetorit.

Ndërkohë erdhi edhe reagimi nga ana e KQZ-së se sot në orën 10:00 do të mbahej mbledhja e cila do të shqyrtonte kërkesën e PAA, PR dhe LSI-së.

Por mesa duket në mbledhje ka qenë i pranishëm vetëm kryetari i KQZ-së, Klement Zguri i cili mësohet të ketë thënë se pa kuorum mbledhja nuk mund të hapet.

Afati i fundit i regjistrimit në KQZ është data 4 gusht.

VERITAS.COM.AL/