Frrok Çupi

 

Mbasi ke lexuar librin e gazetarit italian Roberto Saviano; dhe mbasi e ke lënë në raftin e librave për një kohë të gjatë, vjen një ditë që të del përpara. Erdhi një ditë që një ngjarje motamo si në mafien napolitane, te  libri Gomorra, ndodh në lanfillin e Sharrës në Tiranë.

Para tri ditësh, në landfill, u gjet kufoma e një njeriu, një kufomë e freskët e një njeriu të sapo vrarë. Lajmi i menjëhershëm ishte me plot pasaktësi. U tha se “një mashkull rreth 30 vjeç” gjendet i vdekur mes plehrave të Sharrës. Pasaktësia e medias përcillte një tragjedi të brendshme, shumë më të madhe. Njeriu i vrarë ishte veç 17 vjeç.

Pastaj vazhduan pasaktësi të tjera. Pasaktësitë nisi t’i përcjellë Policia, e dirigjuar nga dikush në kupolën e shtetit. Dikush iu hodhu gazetarëve versionin policesk se “dikush e ka vrarë dikë për hakmarrje”, gjë që në situatat e turbulla të pasigurisë dhe vetëgjyqësisë në Shqipëri, bëhet deri diku e besueshme. Në momentin kur u zbulua mosha e djaloshit të vrarë, kur u zbulua edhe emri i tij, Ardit Gjoklaj, nisi të shkrihet “mjegulla” që lëshoi “ekspertiza” policore mbi vrasjen e adoleshentit.

Njësoj si në “Gomorra”. Nga landfilli po shfaqeshin eshtra njerëzish të mbytur nga mafia. E vërteta nisi të dalë mbi plehrat e Sharrës. Sharra është vendi ku historikisht, që kurse partizanët e Luftës së Dytë zbritën nga mali, janë grumbulluar plehrat e Tiranës. Ironi e fatit është se ngjitur me gropën e madhe tgë plehrave ndodhen edhe varrezat e qytetit të Tiranës. Në rastin konkret të vrasjes së adoleshentit, ky fakt kthehet në një koincidencë si në filma. Aty ku sot ndodhet landfilli, aty ku vriten njerëz nga mafia, aty afër ndodhet edhe varreza.

Si e vrau mafia djaloshin 17 vjeçar?

Mafia “u dorëzua” para adoleshentit të pafajshëm sepse  nuk mundi t’i gjejë asgjë ku ta kapte “në gabime”. Sepse këtu mafia është shtetërore dhe si e tillë, fillimisht kapet te morali i viktimës.  Por nuk mundi ta bëjë në këtë rast. Babai i Arditit, një punonjës policie, ardhur nga Veriu i largët në Tiranë, tregon rreth të birit.

-Djalin e gjeta pa jetë në morgun e spitalit- thotë ai.

Nuk ndodhej në Tiranë atë ditë. Babai nuk donte që i biri të kërkonte për sende të hedhura në landfill. “Por donte të punonte, t’i blinte vetë rrobet dhe librat e shkollës”, tregon babai.

Arditi, si edhe mijëra fëmijë,  adoleshentë dhe të rritur në Tiranë, janë “vetëpunësuar” duke mbledhur mbetje që mund të riciklohen; dhe me shitjen e tyre mbajnë jetën. Qeveria kishte premtuar hapjen e 300 mijë vendeve pune, por nuk e bëri këtë. Papunësia është rritur tragjikisht, si edhe varfëria.

Atëherë, pse e vrau mafia?

Fusha e plehrave në Sharrë, që gjatë regjimit komunist përbuzej me neveri dhe punësoheshin vetëm ata të komunitetit rom dhe egjiptian, tashmë është kthyer në “fushë floriri”. Qeveria e ka kapur por ta kthyer në një sistem fitimprurës për mafien rreth saj. Prej vitesh po bëhet luftë kush merr “biznesin e plehrave”, siç quhet. Gjithnjë kanë konkurruar italianët; por edhe ata kanë luftuar mes njëri tjetrit. Kandidati më i fortë, para dhjetë vitesh, për marrjen e “biznesit të plehrave” ishte italiani Francesco Becchetti, ose nipi i mbretit të plehrave të Europës,  Manlio Cerroni. Ky, një mik i kryeministrit Nano, nuk arriti ta marrë biznesin e plehrave. Kundër tij u shfaq biznesmeni Koço Kokëdhima, mik i afërt i Edi Ramë, kryeministër. Parlamenti e rrëzoi kërkesën e tij.

Por erdhi puna që vetë Ei Rama të ketë në dorë gjithçka. Ky ia dha biznesin e plehrave një italiani tjetër, Carlo Bolino, biznesmen dhe botues i dy gazetave e pronar i Televizionit Report (sot për sot). Më parë ai ka shitur edhe dy televizione të tjerë. Mik shumë i afërt dhe bashkëpunëtor në punë të pista me kryeministrin Rama, Bolino mundi të rrrëzojë italianin Becchetti. Madje, me dorën e Ramës, arriti të mbyllë televizionin e Becchettit dhe ta shpallë në kërkim ndërkombëtar “për krime financiare” italianin tjetër Becchetti.

Ja kaq e fuqishme është mafia që vrau një adoleshent në landfill.

Tani ky tipi Carlo Bolino, i perceptuar si një mafioz me “shpatulla të ngrohtë” në qeveri, ka mundur të marrë në dorë mafien e plehrave.

Atëherë pse u vra Arditi 17 vjeçar, një adoleshent që punonte për seleksionimin e plehrave në landfill?! Ai nuk u vra “aksidentalisht nga traktori i fushës”, siç shpalli policia.

Është një vrasje logjike e qeverisjes aktuale. Kryetari i bashkisë së Tiranës, Veliaj, prej kohësh ka nisur gjuetinë ndaj njerëzve të pamundur, që me një punë të thjeshtë, qoftë edhe duke shitur pop-corns, përpiqen të sigurojnë mbijetesën. Por edhe këta, Veliaj i ka fshirë nga rrugët e qytetit. Pop- corni është shpallur biznes ekskluziv i njerëzve të afërt të kryetarit të Bashkisë.

Kështu është karikuar Veliaj edhe kundër njerëzve të varfër që mbledhin materiale të riciklueshme në fushën e plehrave. Edhe ky është biznes i kontrolluar nga qeveria.  Pas kësaj mafie qëndrojnë interesa financiare biznesi që arrijnë deri në 30 milionë euro në vit

Fshehja e të vërtetës për vrasjen e Arditit vazhdoi edhe dje, edhe pardje, edhe sot…

Policia ngatërroi dje, me qëllim, emrin e kompanisë që administron mbetjet e riciklueshme në landfillin e Sharrës. Policia tha se emri i kësaj firme ishte “3K”, kur në të vërtetë emri i saj është “3R”. Policia po ashtu fshehu jo pa qëllim edhe emrin e administratorit të kësaj firme duke dhënë vetëm inicialet e tij, E.T. Arsyeja e fshehjes të personit të shpallur në kërkim ka të bëjë me faktin se administratori i kësaj kompanie, Edurim Teqja është në të njëjtën kohë edhe drejtuesi i PS në Peqin. Veliaj, kryetar i Bashkisë së Tiranës, është njeriu që ka inicuar këtë aferë të pastër korruptive në të cilën janë mpleksur drejtues të PS si dhe botuesi i afërt i Ramës, Car.Bol. Në janar 2016, kryebashkiaku Erion Veliaj nënshkroi një marrëveshje me kompaninë publike të Bashkisë së Veronës të quajtur “AGSM”, për menaxhimin e mbetjeve në qytetin e Tiranës. Më pas Bashkia Tiranë dhe “Holding AGSM Albania” Sh.a krijuan një kompani aksionere të përbashkët të quajtur “Eco Tirana” Sh.a. Pikërisht kjo kompani e re, ku shteti zotëron 51% të aksioneve, do të marrë nën menaxhim shërbimin e pastrimit të mbetjeve urbane në Tiranë. Në funksion të këtij biznesi ku Veliaj është aksioner me 51% të aksioneve, ku botuesi i Ramës Car.Bol., është sekseri i marrëveshjes dhe ku drejtuesi lokal i PS ka mjetet e riciklimit, ka ndodhur edhe vrasja e dy ditëve më parë në vendgrumbullimin e mbetjeve në Sharë. Ata e ekzekutuan të riun 17- vjeçar, Ardit Gjoklaj për ta bërë shembull; se askush nga ky komunitet i njerëzve të varfër që mbledhin mbetje në kazanët e plehrave nuk duhet ti afrohen biznesit të tyre.

Nëse i afrohesh, atëherë ata të vrasin, sikurse ndodhi në mëngjesin e të dielës.

Ke lexuar kohë më parë librin Comorra?… Tani je në Sharrë dhe njëkohësisht në Gomorra