Detaje të reja janë zbardhur lidhur me ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme në zyrat e administrimit dhe mbrojtjes së tokave në qarkun e Vlorës.

Burime nga policia bëjnë me dije se vjedhja e dokumenteve ka ndodhur vetëm brenda tre minutave dhe dyshohet se autori ka pasur ndihmë nga persona të tjerë që ndodheshin brenda.

Autori ka ditur vendosjen e saktë të dosjeve ndërkohë që mësohet se ka vjedhur dosje origjinale të zonës së Dhërmiut.

 Burimet bëjnë me tej me dije se roja e këtij objekti ka qenë kontradiktor me ato që ka deklaruar në polici, ndërsa kanë nisur edhe hetimet për punonjësit e kadastrës.

Sa i takon dokumenteve të vjedhura janë dokumente origjinale të tokave të Dhërmiut, kanë humbur dosje të cilat ASHK nuk i ka marrë në dorëzim për t’i regjistruar. Janë prona të cilave u kanë dalë më shumë se një pronar dhe ASHK nuk i ka regjistruar për këtë arsye. Me humbjen e dokumenteve origjinale rrezikohet tjetërsimi i pronës.

Burime nga policia thanë se ishin grabitur dosje të pronave të bregdetit që nuk ishin marrë në dorëzim nga arkiva e ASHK- së, për shkak të mangësive.

Pronësia në bregdet është burim i vijueshëm konfliktesh në Vlorë. Për shkak të përplasjeve për pronat kryesisht në rivierë ku po ndërtohen ndërkohë një sërë resortesh luksoze Agjencia Shtetërore e Kadastrës në Vlorë ka ndërruar 10 drejtues në dy vitet e fundit.

Oficerë të policisë që kërkuan të mos identifikoheshin thanë se vjedhja kishte ndodhur në jo më shumë se 3 -5 min. Sipas të njëjtit burim në zyrën e administrimit dhe mbrojtjes së tokës, gjatë kontrollit të policisë ka rezultuar se mungojnë 2 dosje të AMT-je të pronave në bregdet, konkretisht në fshatin Dhërmi, Himarë.

Pavarësisht se institucioni ka kamera të sigurisë, ngjarja nuk është regjistruar nga këto të fundit. Autori ka përdorur një kënd tjetër daljeje dhe u është shmangur atyre. Autoritet dyshojnë se autori, ka vepruar i ndihmuar me informacion nga zyrtarë të institucionit dhe ka marrë vetëm një numër dosjesh me interes.