Ashtu siç u lajmërua një ditë më parë emri i kandidatit të ri për president do të depozitohet pranë Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë para orës 12:00.

Grupi i Partisë Socialiste, në raundin e katërt të procesit, zgjodhi Kandidatin për President të Republikës së Shqipërisë, Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Major Bajram Begaj. Kandidatura e Begajt është firmosur nga 37 deputetë të Partisë Socialiste.

Grupi i PS u mblodh për të siguruar firmat e nevojshme për të mbështetur kandidaturën e Begajt.

Sipas ligjit, duheshin të paktën 20 firma të deputetëve para depozitimit në Kuvend.

Tashmë, pas depozitimit pritet miratimi i tij nga Komisioni i Ligjeve në orën 16:00.

Dy orë më vonë do të zhvillohet dhe procesi i votimit në seancën e posaçme plenare.

Si u arrit te ky emër?

Dy ishin emrat më të lakuar në media, ai i Majlinda Bregut dhe Ardian Dvoranit.

Madje, ishte vetë kreu i Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla, i cili më herët kishte deklaruar se vota e tij do të shkonte për këta kandidatë nëse opozita do t’i kishte propozuar në tri raundet e para të votimit për President.

Mirëpo, këto emra u hodhën poshtë pas mbledhjes së Kryesisë së PS-së, e cila me votat e të paktën 20 deputetëve zgjodhi Begajn.

Pas mbledhjes së Kryesisë socialiste, kryeministri i Shqipërisë, njëkohësisht edhe kryetar i selisë rozë, Edi Rama, bëri publik emrin e kandidatit zyrtar të mazhorancës për President të Republikës së Shqipërisë.

Për kryeministrin, Begaj është “shëmbëlltyra e atij normaliteti, e asaj qytetarie, e sensit të shërbimit ndaj vendit dhe njerëzve të këtij vendi, për të cilin ajo zyrë ka një nevojë urgjente”.

Rama shpjegoi se, në fillim, janë përjashtuar emrat e ardhur nga grupi parlamentar dhe ato të ardhur nga jeta politike.

“Ne duhet t’u japim shqiptarëve një president që nuk ka karrierë në PS”, tha Rama.

Në mbledhje u diskutua mbi një listë prej 26 kandidaturash të propozuara nga ligjvënësit socialistë.

Ndërsa, fill pas publikimit të emrit, Rama e priti Begajn në zyrën e tij pranë Kryeministrisë.

Begaj e ka mirëpritur dhe e ka pranuar pozicionin e dhënë nga Kryeministri i Shqipërisë.

Ai theksoi se, nëse do të votohet, do ta bëjë me “lartësinë e duhur detyrën si President i shqiptarëve”.

Kush është Bajram Begaj?

Gjeneral Major Bajram Begaj u lind më datë 20 mars të vitit 1967, në Rrogozhinë.

Ai ka përfunduar studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Degën Mjekësi e Përgjithshme në vitin 1989 dhe është titulluar oficer aktiv në specialitetin “Mjekësi” në vitin 1998.

Gjeneral Major Begaj ka përfunduar “Doktoraturën në Fushën e Mjekësisë”, në Shqipëri, si dhe mban titullin “Profesor i Asociuar” në Mjekësi.

Gjatë karrierës 31-vjeçare ushtarake ka kryer Kursin e Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen, Shkollën e thelluar pasuniversitare të mjekësisë, Specializimin Pasuniversitar në profilin Gastrohepatologji, Kursin e menaxhimit spitalor dhe Kursin e lidershipit mjekësor strategjik, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe Kursin epecializimit në fushën e mjekësisë dhe Kursin e Shëndetësisë, në Greqi.

Sakaq, Gjeneral Major Begaj ka drejtuar stërvitjen ushtarake “Defender Europe 2021” dhe është një nga emrat, i cili gëzon konsideratë të lartë nga SHBA-të.

Ndërkohë që, në Forcat e Armatosura ka mbajtur një sërë detyrash, mes të cilave Komandant i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, Shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake dhe Zëvendësdrejtor Ushtarak i SUT, Drejtor i Spitalit Ushtarak, Drejtor i Inspektoriatit Shëndetësor dhe Kryeinspektor dhe Këshilltar i Inspektoriatit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm Ushtarak Qendror Universitar.

Gjeneral Majori Bajram Begaj do të bëhet i treti ushtarak i lartë që do të drejtojë presidencën shqiptare pas Alfred Moisiut dhe të ndjerit Bujar Nishani.

Në korrik të vitit 2020, Begaj u betua si Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

Më 22 gusht të vitit 2017, do të gradohej si gjeneral brigade nga ish-ministrja Mimi Kodheli.

Kjo e fundit e cilësoi si të veçantë këtë gradim, duke u nisur nga fakti që e merr për herë të parë këtë gradë një mjek.

Mazhorancë-opozitë

Opozita e ka bërë të qartë vendimin e saj, grupi parlamentar i Partisë Demokratike me kryetar Enkelejd Alibajn, ka deklaruar bojkot të seancës.

Ndërsa grupi i PD-së, me kryetar partie Sali Berisha, ka deklaruar se do të shkojë në Kuvendin e Shqipërisë, por do të votojë kundër “kandidatit të Ramës”.

Kujtojmë që mazhorancë-opozitë kishin arritur në një marrëveshje që përgjatë tri raundeve të para – siç e parashikon dhe Kushtetuta që Presidenti zgjidhet me të paktën 84 vota – do të ishte kjo e fundit që do të propozonte emra. Ndërsa mazhoranca pas raundit të katërt.

Por, tre raundet e votimeve për një President konsensual “dështuan”.

Procesi për zgjedhjen e Presidentit, i cili nisi që prej 10 majit, në raundet ku parashikohej një president me kompromis nuk u finalizua.

Tashmë mazhoranca e zgjedh vetë presidentin me shumicë të thjeshtë votash: 71.

Detyrën e kreut të shtetit e mban Ilir Meta.

Këtij të fundit i mbaron mandati më 24 korrik 2022. /AP/