I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, po qëndron për një vizitë një ditore në Maqedoninë e Veriut.

Takimin e parë, zëvendësndihmës sekretarin amerikan për çështje evropiane dhe euroaziatike, Gabriele Escobar e realizoi me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Në këtë takim u shkëmbyen mendime për marrëdhëniet e përgjithshme bilaterale ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së, si dhe për gjendjen në rajon.

Në takim, Pendarovski, siç njoftoi zyra për medie e Presidencës, tha se të dyja vendet në vazhdimësi e nxisin dialog produktiv politik dhe shprehu besimin se marrëdhëniet bilaterale do të vazhdojnë të zhvillohen me ritëm edhe më të fortë.

Pendarovski gjithashtu theksoi rëndësinë e mbështetjes së fuqishme dhe të vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara në arritjen e qëllimeve strategjike të vendit tonë, që nga shpallja e pavarësisë e deri më sot.

Lidhur me aspiratat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, presidenti Pendarovski rikonfirmoi pritjet për fillimin e shpejtë të negociatave për anëtarësim, duke theksuar se zhbllokimi i procesit integrues do të ndikojë pozitivisht në stabilitetin dhe zhvillimin e përgjithshëm të rajonit.

Në këtë kontekst, presidenti Pendarovski falënderoi administratën amerikane dhe personalisht zëvendës ndihmës Sekretarin e Shtetit, Escobar, për mbështetjen e tyre në adresimin e nevojës për përparim rajonal drejt BE-së.

Në takim, Pendarovski theksoi përkushtimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, si anëtare më e re e NATO-s, për të kontribuar në sigurinë kolektive dhe mbrojtjen e vlerave të bashkësisë euroatlantike.

Pendarovski falënderoi edhe për ftesën për të marrë pjesë në Samitin virtual për Demokraci, organizuar nga presidenti amerikan Joe Biden, i cili do të mbahet më 9 dhe 10 dhjetor 2021.

Gabriel Ecsobar, do të takohet edhe me kryeministrin Zoran Zaev dhe me shefin e diplomacisë, Bujar Osmanin.

Është paraparë që Escobar dhe Osmani, pas takimit në MPJ, të kenë edhe konferencë të përbashkët për shtyp.

Eshte njoftuar se pas dy ditesh, zoti Escobar do te vizitoje Tiranen