Nga: Denis Dyrnjaja/
Eshtë vetëm fillimi, do të shihni e provoni shumë nga Albini.
Qeveria e Kosovës që tashmë drejtohet nga Albin Kurti me një vendim të paprecedent egoizmi, ndërpreu mundësinë e vaksinimit të mësuesve kosovarë në Shqipëri. Në një treg ndërkombëtar me kërkesë marramendëse për vaksina, Shqipëria nuk e ka as luksin e zgjedhjes dhe as të pritjes së vaksinave të preferuara sipas orientimit gjeopolitik. Edhe vetë vendet perëndimore po orientohen drejt alternativave të tjera të vaksinës që vijnë nga Kina dhe Rusia. Gjermania po shqyrton mundësinë e përdorimit të Sputnik 5, vaksinës ruse.
Në një vendim tërësisht human, dashamirës dhe vëllazëror qeveria shqiptare vendosi të kontribuojë me vaksinimin e mësuesëve kosovarë. Nëse do bënim avokatin e djallit e të mendonim se Rama po e bën këtë për vota para zgjedhjeve, është një mendim që nuk ngop arsyen. Madje nëse do shihej ngushtë njerëzit këtu do duhej të thonin po ç’është ky kryeministër që pa mbaruar vaksinimin brenda vendit vendos të shpërndajë vaksina për të tjerët. Në fakt ata nuk janë të tjerët. Ata janë shqiptarë. Ata janë në, ne jemi ata.
E kjo ska të bëjë me zgjedhjet, por me zgjidhjet e mundshme për të shpëtuar nga kjo flamë vdekjeprurëse botërore.
Procesi filloi, por surpriza nuk erdhi nga tregu i vaksinave, as nga pamundësia e numërit të kufizuar të tyre, por nga një vendim i pakuptimtë i iniciuar nga Kryeministri i Kosovës Albin Kurti. Ai autorizoi vendimin për të ndërprerë vaksinimin e mësuesëve kosovarë në Shqipëri me motivin se vaksinat nuk vijnë nga vende që prodhojnë produkte farmaceutike që certifikohen nga EMA, Agjencia Evropiane e Barnave.
Arsyetimit iu shtua edhe një argument megaloman politiko/diplomatik se Cinovac dhe Sputnik 5 prodhohen nga vende që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, përkatësisht Kina dhe Rusia.
Por a është ky rasti kur duhet të bësh kren-arin me jetën e popullit tënd?! Ç’është kjo ego psiko/nacionaliste deri në vetëmohim sharlatanist, që të refuzosh vaksinën e të mbyllësh popullin në karantinë?! Albin Kurti e di fort mirë se vaksinat kineze dhe ruse s’kanë asnjë problem, por ai vendos të rrisë kredon e vet nacionaliste, përballë mundësisë për të shpëtuar jetë njerëzish. Ai vendos më mirë të mbyllë popullin në karantinë, sesa të shpëtojë jetë njerëzish dhe ekonominë.
Kjo është mënyra sesi shteti bie në duart e aveturierëve tekanjozë. Ky është vetëm fillimi, na presin shumë surpriza e teka nga Albini.
VERITAS.COM.AL

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.