KOMENT/

‘Basha të lërë mandatin dhe të ikë andej nga erdhi’ ishte thirrja që Sali Berisha i bëri kryedemokratit nga takimi që pati me demokratët e qarkut të Fierit. Duke e cilësuar si liderin që i ka bërë më shumë dëm një partie se askush tjetër, Berisha tha se pabesia dhe mungesa e parimeve morale të Bashës po dëmtojnë PD dhe demokratët. Berisha zhvilloi sot në Fier ‘Foltoren’ e dytë me simpatizantët, por ndryshe nga Tirana në sallë ishin të pranishëm një grup i vogël qytetarësh.

Teksa shoqërohej nga Tirana nga deputeti Flamur Noka, një nga zërat më të ashpër ndaj Bashës për vendimin e përjashtimit të ish liderit të PD, Berisha u prit edhe nga kryetari i degës Fier dhe deputeti, Luan Baçi, i cili iu bashkua lëvizjes ‘Për një Parti Demokratike më të bashkuar’. Një nga arsyet pse ai u përjashtua nga grupi parlamentar, për Berishën është fakti se Basha mund të ketë akumuluar, pasi sipas tij “ai ia thoshte të gjitha gjërat troç duke u bërë zëri i demokratëve’.

“Peng Basha do të jetë mirë të shkojë andej nga erdhi. Nuk ia ka barë kush partisë atë që i bëri ky. Ndoshta ai kishte akumuluar ndaj meje, se unë çdo gjë i thoja, isha zëri juaj te ai. Por nuk e besoja se ishte kaq jo parimor dhe i pabesë. Pse SHBA vlerëson pabesinë? Po nuk fitove jep dorëheqjen, por kur të kanë marrë peng nuk të lejojnë që të japësh dorëheqjen. Uroj që të dorëzojë mandatin dhe të shkojë nga erdhi”, tha Berisha

Një sulm Berisha ‘nuk e kurseu’ as për ambasadoren e SHBA-së Yuri Kim, ku pasi pranoi se ka dosje ndaj tij vë vendimin e shpalljes ‘non grata’ nga DASH, shtoi se ata janë të gjitha shpifje të krijuar nga raporte që dalin nga zyra e Ramës. Ai ripërsëriti se do të shkojë në parlament pavarësisht gjithë situatës së krijuar.

“Ambasadorja ka deklaruar se habitem se si njerëzit bëjnë të paditurin. Zonja ambasadore i ke thënë Lulzim Bashës se “Berisha e di që ne kemi dosje por ai nuk i beson ato dosje’. Unë nuk kam thënë kurrë ndonjëherë që nuk ka dosje, por ata janë shpifje dhe vetëm shpifje. Ju them me bindje të gjithëve: unë do të futem në Parlament pa asnjë diskutim”, tha Berisha.

Përgjegjës për përjashtimin e tij dhe situatën e krijuar,  Berisha bën kryeministrin Edi Rama, sipas të cilit ka marrë peng Lulzim Bashën për t’i futur thikë pas shpinë PD-së. Teksa vijon ta quajë  ish kryetar i PD, Berisha shprehet i bindur se mes Bashës dhe Ramës ka bashkëpunim, dhe këtë po e vuan ai vetë dhe PD-ja. Ai u kërkoi militantëve të mos ndahen në dy kampe, pasi në këtë mënyrë PD do përçahet.

“Në 30 vite këto janë ditët më të vështira për Shqipërinë dhe shqiptarët. Jo vetëm për faktin se ne sot kemi një regjim të keq, por për faktin se sot duke marrë peng kreun e opozitës, Edi Rama i futi thikë pas shpine PD me dorën e pengut të tij Lulzim Basha. Sot kemi nis këtë debat me ju, por ky debat ju ftoj të zhvillohet një debat midis njerëzve që u besojnë vlerave, që marrin përgjegjësi. Janë të revoltuar nga akti i pabesë i Lulzim Bashës. Të mos pranojmë asnjë ndarje midis nesh, të Bashës dhe Berishës. Ju jeni njerëzit e vlerave dhe të lirisë. Ata që nuk e duan Sali Berishën ju them vetëm një fjalë, më shumë  se gjithë ju Bashën e ka mbështetur vetëm Berisha”, tha Berisha

Berisha komentoi edhe deklaratat e kryetarit Lulzim Basha se nuk do të ketë mbledhje të forumeve, duke i thënë se ka për të përfunduar keq. Madje Berisha tregon hapat që do të ndjekë për të mbledhur Kuvendin e partisë që ta shkarkojë Bashën.

“Atëherë marrim Kuvendin, vendoset neni i referendumit dhe shkohet në referendum. Vota e lirë është shpëtimtare. E dëgjuat deklaratën e peng-kryetarit. Atij i them një gjë: të gjithë ata që i kapi frika e forumeve, kanë përfunduar keq” tha Berisha.

Vendimi për përjashtimin nga grupi i PD, bëri që Berisha të sulmojë ashpër Lulzim Bashën duke e cilësuar një lider të thyer, të pabesë dhe të paaftë për ta çuar partinë në fitore. Aksionin e tij ndaj Bashës nuk e ka lënë vetëm me deklarata, por ka zbritur në terren për të takuar anëtarët e PD-së, për të mbledhur 1500 firmat që sipas tij shërbejnë për referendum për të rrëzuar vendimin e përjashtimit të tij dhe për t’i rikthyer sipas tij sovranitetin partisë. Kjo lëvizje është mbështetur nga deputetët Edi Paloka, Tritan Shehu dhe Flamur Noka, por edhe nga ish-presidenti Bujar Nishani .Ndërsa turin e tij të takimeve me demokratët, Berisha ka në plan ta zhvillojë në gjithë Shqipërinë.