Nga Arbi Fortuzi/ ATSH

TIRANË, 10 shtator/ATSH/ Ministria e Mbrojtjes i ka dorëzuar të martën Medaljen e Mirënjohjes, Zyrës së Atasheut Ushtarak të SHBA në Tiranë dhe Zyrës së Bashkëpunimit Ushtarak në Tiranë.

Gjatë ceremonisë së zhvilluar në Tiranë, e ngarkuara me punë e SHBA në Tiranë, Leyla Moses-Ones, ka theksuar se bashkëpunimi mes dy vendeve është i shkëlqyer dhe Forcat e Armatosura Shqiptare kanë aftësinë dhe profesionalizmin e duhur për të qenë në krah të Forcave ushtarake amerikane në të gjitha situatat që kërkohet.

“SHBA mbështesin Forcat e Armatosura Shqiptare. FA-të shqiptare janë të gatshme dhe të afta të luftojnë krah për krah me trupat amerikane dhe NATO në çdo kohë dhe në çdo moment. Kjo dekoratë është e një vlerë e padiskutueshme dhe një kujtim i rëndësishëm dhe përballë ushtarakëve që kemi humbur në misionet paqeruajtëse”, tha Moses-Ones.

Ajo tha se “çdo ditë të vitit ka forca amerikane këtu për të forcuar lidhjet tona të forta. Forcat shqiptare janë ndër më profesionalet. Forcat shqiptare kanë treguar se janë të përgatitura, të gatshme për të luftuar, në çdo kusht”.

Leyla Moses-One tha vlerësoi se Shqipëria ka respektuar zotimin e Samitit të Uellsit për arritjen në 2% të PBB. “SHBA e përgëzon Shqipërinë dhe mbështet përpjekjet e saj të vazhdueshme deri në vitin 2024. Fuqia e marrëdhënieve tona është e pamatshme dhe e pathyeshme. Për stafin amerikan të atasheut, puna juaj me zell sjell rritje të angazhimit”, tha ajo.

“Për personelin shqiptar, ju jeni zemra e bashkëpunimit, asnjë nga këto nuk do të ishte e mundur. Pa punën tuaj të madhe asgjë nuk do të ishte e mundur” tha e ngarkuara me punë e SHBA-së, Leyla Moses-Ones.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka tha se, pa mbështetjen e SHBA-së, Shqipëria nuk do të ishte sot kështu.

“Kjo certifikatë është shumë pak, është një gjest simbolik për të shprehur falënderimin e sinqertë për punën e bërë. Sepse të gjithë, unë e para e kam parë që ka qenë një punë e jashtëzakonshme. Nëse sot bashkëpunimi ushtarak mes vendeve tona janë më të forta dhe konsoliduara se kurrë kjo i dedikohet dhe punës së palodhshme dhe të këtyre dy miqve. Faleminderit nga zemra. Nuk mund të rri pa falenderuar përfaqësuesen e SHBA, miken time, Leylan Moses-Ones”, tha Xhaçka.

Ministrja Mbrojtjes tha se i kemi një borxh të madh SHBA. “SHBA na është gjetur në momentet më të vështira të historisë, i kemi një borxh mirënjohje shumë të madh, që nga momentet e themelimit. Pa këtë mbështetje historia e Shqipërisë do të kishte ndjekur një trajektore tjetër. Falë mbështetjes së SHBA, Shqipëria po hyn në fazën jetike të zbatimit të reformës në drejtësi”, tha ministrja.

Ajo duke folur për bashkëpunimin me SHBA, nënvizoi investimin për bazën ushtarake të Kuçovës apo tri helikopterët “Cougar”, ndërsa kujtoi dhe stërvitjet e përbashkëta.

“Padyshim që forcimi në logjistik dhe kthimi i vendit tonë në një eksportues të sigurisë është meritë e bashkëpunimit dhe mbështetjes së pakursyer të SHBA. Duke nisur nga logjistika me armë dhe municione moderne, duke vijuar te helikopterët “Cougar” si dhe investimin madhorë në bazën ushtarake të Kuçovës. Po ashtu në stërvitje të përbashkëta, të cilat kanë rritur profesionalizmin e trupave shqiptare të cilat radhiten pranë aleatëve të NATO-s në misionet paqeruajtëse në të gjithë botën, duke e kthyer vendin tonë në një eksportues të sigurisë”, tha ndër të tjera ministrja Xhaçka.

VERITAS.COM.AL/

 

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.