Gjykata e Lezhës ka dhënë masën “arrest me burg” për 17-vjeçarin Florian Pervathi.

Floriani katër ditë më parë qëlloi me armë fqinjin e tij, 65-vjeçarin Leke Lekegjonaj, vëlla i personit qe vrau te atin e Florian Pervathit para 13 vjetesh..

Ndaj të miturit janë ngritur tre akuza, ajo e “Vrasjes për gjakmarrje”, “Mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake” dhe “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve të gjuetisë dhe sportive”, të parashikuara nga nenet 78/a, 278/1 dhe 280 të Kodit Penal.

Mësohet se Prokuroria i ka kërkuar gjykatës masën e sigurisë “arrest në burg”.

Policia ka ushtruar  kontroll në banesën e tij dhe është gjetur një armë gjahu.

Ndërtimi i ngjarjes

Mesditën e 24 janarit erdhi njoftimi nga Policia e qytetit të Lezhës se, në fshatin Manati, një 65-vjeçar ishte vrarë me armë zjarri.

65-vjeçari me iniciale L.L. u qëllua për vdekje nga një 17-vjeçar, shtetasi F. P.

Krimi u cilësua për motive hakmarrje, pasi vëllai i viktimës, në vitin 2009, ka vrarë të atin e 17-vjeçarit.

Ndërkaq, sipas njoftimit të Policisë të asaj dite, u sekuestrua arma e zjarrit pistoletë dhe i mituri u vetëdorëzua në polici.

Aspekti ligjor i gjakmarrjes

Juristja Ardita Sokoli tregon se kodi penal parashikonte Vrasjen për Gjakmarrje në Nenin 78 si vrasje me paramendim.

Më konkretisht, cilëson ajo, “Vrasja e kryer për interes hakmarrje a gjakmarrje dënohet me burgim jo më pak se 20 vjet ose me burgim të përjetshëm”.

Sipas juristes, në vitin 2013, Ligjvënësi e ashpërsoi masën e dënimit të parashikuar për këtë lloj krimi me pasoja të rënda.

Në Ligjin nr 144/2013, u shtua neni 78/a me emërtesën Vrasje për Gjakmarrje.

Brenda tij parashikohet se “Vrasja me dashje për Gjakmarrje dënohet me burgim jo më pak se 30 vjet ose me burgim të përjetshëm”.

Nga viti 2005 deri në vitin 2015 janë dënuar 135 persona, ndërsa të proceduar janë 129.

Megjithëse Kodi parashikon dënime të ashpra për nenet 78 paragrafi i dytë dhe nenin 78 pika a, gjatë këtyre viteve janë regjistruar vetëm shtatë raste me burgim të përjetshëm.

Sipas një publikimi nga institucioni i Avokatit të Popullit, gjakmarrja mund të luftohet me efektivitet “vetëm në qoftë se strukturat shtetërore, shkollat, komunitetet fetare, media dhe shoqëria civile do të punojnë në një zë sipas një strategjie të përbashkët”.