Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Alqi Bllako është rikthyer në burg.

Kështu ka vendosur Gjykata e Posaçme e Apelit, e cila pranoi ankimimin e SPAK ndaj vendimit të Shkallës së Parë për ta kaluar Bllakon në “arrest shtëpie”.

Ish-deputeti Alqi Bllako, u paraqit ditën e sotme në ambientet e Gjykatës së Posaçme të Apelit.

SPAK kërkoi arrestimin e Alqi Bllakos në fund të muajit mars të këtij vit, pas dyshimeve ndaj tij për “korrupsion” dhe “shpërdorim të detyrës” gjatë procedurës tenderurese për inceneratorin e Fierit.

Prokuoria pretendon se nga hetimet rezulton që, në bashkëpunim me ish-ministrin Lefter Koka, Bllako ka falsifikuar dokumentin në lidhje me sipërfaqen e tokës ku u ndërtua inceneratori i Fierit, duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit prej 16 milionë lekësh.

Bllako dorëzoi mandatin e deputetit, pak orë pasi SPAK i kërkoi Kuvendit autorizim për ta arrestuar. Sipas SPAK, në bashkëpunim me ish-ministrin Lefter Koka, Bllako ka falsifikuar dokumentin në lidhje me llojin e sipërfaqes së tokës ku u ndërtua inceneratori, duke mashtruar Këshillin e Ministrave, si edhe ka përfituar ryshfet për favorizim të paligjshëm të kompanisë koncensionare.