Ilir Meta prishi skemën e shpallur dje nga kryeministri Rama, sipas të cilit “kurrë mos u votoftë Reforma” në qoftëse nuk bëhet “ssiç them unë”. Meta  tha se LSI është e hapur të votojë çdo reformë, mjafton që ajo të jetë me konsensus.

“LSI është gati të votojë edhe një reformë PS – PD, mjafton që ajo të jetë me konsensus”, u shpreh Meta në mbledhjen e kryesisë së LSI. Ky qëndrim i Metës vjen në një kohë kur kryeministri Rama ka vendosur një vijë të kuqe për opozitën: ajo nuk mund të kërkojë “vendet e rezervuara” për procesin e vetingut. “Përndryshe le të mos ketë reformë fare”, tha Rama.

Por edhe Basha u kundërpërgjigj në të njëjtën formë: “Me vetingun Rama kërkon të kapë sistemin e emërimeve në drejtësi. Nëse nuk i jep vendet e rezvuara edhe për dy institucionet e vetingut le të mos ketë reformë”. Palët flasin për konsensus, por duket se konsensusi është tepër larg. Qëndrimi i Metës e bën të pamundur miratimin e reformës edhe me votat e trafikuara, siç ishte ideja e kryeministrit Rama dhe siç nënkuptonin deklaratat e fundit të ambasadës amerikane dhe BE -së.

Pa votat e LSI dhe të PD, miratimi i reformës është tërësisht i pamundur. Sipas opozitës, ka vetëm një mënyrë për ta miratuar reforëm me konsensus. “Ashtu siç pranoi vendet e rezervuara për KLGJ dhe KLP, Rama mund t’i pranojë edhe për vetingun, siç ka rekomandaur Komisioni i Venecias”, u shpreh dje Basha.