Shkruan Sokol Pepushaj

Presidenti ynë i kapërcen logjikat e pritshmërive njerëzore, sa herë afrohen pranga për hajdutët. Arrogancë me elegancë, dashuri më helmeta, qetësi me zë të alarmuar deri në siklet, ku bie në gjunjë e bën me duar një tip shqiponje, zgurdullon sytë si dervish që mund t’ja shterrojë qumështin lopës së qeverisë e do t’ja kalojë lopës së presidencës, janë magjitë e tij kundër rendit të drejtësisë.

E kemi thënë në një analizë se pas Coronavirusit vjen Coronavetingu. Pra, pritej kjo që ndodhi. Konflikti Meta-Rama, është simbolika e qëllimit për t’tja tharë rrënjët shpresës së Reformës së Re Zgjedhore. Kjo reformë, ndryshe nga çdo tjetër, në çdo pragzgjedhjesh të mbi njëçerek shekulli hileqar, kishte premtuar se do të krijonte një sintezë të kapërcimit të ylberit të politikës së Listave të Partive, e do të bëhej vullnet sovrani.

Po ç’do të ishte kjo fushë e pashkelur deri sot?

Do të ishte një përballje e drejtpërdrejtë e politikës me drejtësinë. Se drejtësia starton pikërisht tek filtrimi, skanimi i gjithsecilit politikan në sitën e anomalive të kësaj kohe paradoksesh.

Dhe, si gjithmonë, në kapërcyell të pengesave për çdo risi me mantel perëndimor, del një tip Mehmet Shehu, që deri sot fatkeqësisht, ka arritur ta ndërrojë disa herë kalendarin hënor të arrestimeve të peshqve të mëdhenj, të fshehë labirintheve pa krye kohezionin social dhe ekonomik, e deri të endë apo grisë shtretër merimange të mbidheshme e të nëndheshme.

Megjithësë lojë e limituar, me defiçenca të theksuara në artikulime fine, për ide, apo arketipe të një gjuhe a mëndimtarie analitike, i ka detyruar të gjithë të trëmben nëse ai zëmërohet.

Figurë vërtetë e paparë. Me solemnitet, nga një takim me pak servilë, lëshon gojën pa fre, sa të vjen turp që fusha e arsyes njerëzore e kreut të shtetit, është kaq e ngushtë, sa një murishte teatri.

Presidenti thotë se qeveria nuk mund ta shëmbë Teatrin Kombëtar kursesi, pasi më parë duhet të shkelë mbi trupin e tij!

Kështu tha edhe para një viti, nuk do ketë zgjedhje për pushtetin vëndor dhe pikë. Zgjedhjet u bënë, por të sakatuatra. Të gjithë humbën. Humbi opozita që u vetëlargua nga beteja, humbi pushteti që fitoi vetëm me vetveten dhe me të vjedhur, pasi njerëzia nuk i shkoi as tek kutia e votimit, humbi edhe vetë Meta jo pak.

Pra, një vendim i papërgjegjshëm, si sot me Teatrin, e shëndërroi politikën në një zgavër të frikshme, ku kanë rënë të tërë.

Ranë në zgafellë të Metës edhe Rama edhe Basha, edhe Berisha edhe Myslim Murrizi…

Sot spiralja presidenciale, synon të riafirmojë rrufetë nëpër mjegull, ku mund të gjuajë të gjithë ata që guxojnë të aspirojnë për të nxjerrë nga Listat e Partive hajdutët.

Po pse muroset Presidenti në mure të teatrit?

Mos ndoshta tullat dhe betoni po i rrezikojnë Kushtetutën, apo etimologjia teatro-turmë, ka origjinë qyshse u kërkua nga ndërkombëtarët që qeveria e “Duarve të Pastra të hapë dosjen e grabitjes së Thesarit të shtetit në vitin 2006.

37 vjeçari Ilir Meta që ishte ndër të pasurit e Europës, në 2005-ën, kishte siguruar në mazhoritar vetëm karrigen e vet në parlament, me vota Skrapari. Por, si mjeshtër i hollësive për kontroll kozmosi, nga 40 deputetë liste, kapi 6 copë për vete.

Floriri i Krrabës, i vari përjetësisht në të njëjtën kërrabë çunakun e shumë fatkeqësive Ilir Meta dhe perëndinë e gjithë fatkeqësive shqiptare Berisha.

Rrëmuja e sotme, shëmbet apo jo Teatri Kombëtar, ku Meta vëndos veten dhe një libër që thotë se është kushtetuta, u end nga Berisha në vitin e largët 2006 dhe askush nuk fliste asokohe për murosje nëse Berisha e shëmbte e bënte një tjetër madhështor.

Aso kohe, ndanë mënjanë 5 milionë e 600 mijë euro për ngritjen e një Teatri Kombëtar. Gozhda e Nastradinit ishte konkursi për projektin me vlerë 300 mijë dollarë kapur nga studioja Luis Beger, si dhe vazhdimi i punimeve për ndërtimin e teatrit deri në fund të vitit 2010.

Sot Ilir Meta nuk ka hallin e teatrit jo. Thjeshtë kërkon degën e shpëtimit në ujërat e turbullta të SPAK-ut, që me patjeter do kthjellohen nga amerikanët këto ditë dhe peshku do dalë në fushëpamje dhe gati për tigan, sapo të bëhen ca pyetje të thjeshta për pasuritë e çmëndura.

Pra sot, presidenti ka paritet mbi aktorët që rrinë natë ditë brënda teatrit, se mos e shëmb dikush nga të qeverisë, ka paritet mbi Monikën e Lulzim Bashën që janë betuar njëri në altar e tjetri në Kur’an se janë gati për rrëmujë, të paktën derisa politika të kalojë edhe këtë zone rreziku, Listat e Partive.

Kështu, më të rrezikuarit, Sali Berisha dhe Ilir Meta, do harroheshin deri nga vjeshta, ku do kapnin edhe ndonjë delfin tip teatri tjeter, për t’i nxjerrë deri në pranverën 2021. Nëse Meta arrin objektivin, fushata elektorale e vitit 2021 do të bëhej vetëm përmbi letra partishë dhe politika do të ndërrojë portat për të mbajtur në lojë hajdutët.

Lulzim Basha do të bëhej Edi Rama i sotëm dhe Meta mëpastaj nuk do të zihej me Ramën, por me Bashën dhe Monikën.

Pra, Ilir Meta nuk është thjeshtë teatër, as thjeshtë president, as thjeshtë pasanik.

Meta është gjykatë, prokurori, presidencë, kushtetutë, qetësi e dashuri.

Jo më kot shqiptarët e kanë pagëzuar Ilir Floriri./Pamfleti