Forumi i Biznesit të Ballkanit Perëndimor që u zhvillua të hënën në Paris, ka marrë disa  vendime me interes për vendet balkanike perëndimore.

Eurokomisioneri i Zgjerimit, Johannes Hahn, deklaroi dje se Bashkimi Evropian ka premtuar dhënien e 150 milionë euro për projektet infrastrukturore, të transportit dhe ato energjetike në Ballkanin Perëndimor që do të lidhin vendet e rajonit.

”Potenciali i marrëdhënieve mes vendeve do të realizohet plotësisht vetëm nëse ato zbatojnë të gjitha reformat e kërkuara”, theksoi Hahn.

”Kemi vendosur të investojmë 96 milionë euro për tri projekte infrastrukturore hekurudhore Serbi, Shqipëri dhe Kosovë si edhe 50 milionë euro të tjera për masat e mbrojtjes së mjedisit si eficenca e energjisë në ndërtimet rezidenciale dhe projektet e vogla hidro”, shtoi ai.

”Kjo tregon seriozitetin e premtimit të BE-së që deri në vitin 2020 të investojmë një miliard euro”, theksoi Hahn.