Nga Ermail Qori/

Java e parë e muajit maj duket se do të nisë me zhvillime të rëndësishme politike, që nga mesazhi që Volodomir Zelenski, presidenti i Ukrainës do të përcjell në parlamentin Shqiptar,  çështja e procedurave të zgjedhjes së presidentit e deri të punimet statusore brenda partive politike.

E marta e 3 Majit do të mbledhë deputetët në një seancë të posaçme parlamentare. Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky do të përcjellë nesër mesazhin e tij para ligjvënësve shqiptarë, nëpërmjet një video call. Seanca dedikuar luftës në Ukrainë dhe suportit ndaj saj ishte parashikuar të nisë rreth orës 11:00, por mësohet se ajo është shtyrë në orën 13:00. Burime thonë se Zelensky, pritet të informojë deputetët shqiptarë lidhur me situatën në Ukrainë dhe të shprehë mirënjohjen për mbështetjen e Shqipërisë. Që prej nisjes së konfliktit Rusi-Ukrainë, vendi ynë është rreshtuar krah vendeve anëtare të NATO-s dhe OKB në qëndrimin pro Ukrainës dhe sanksioneve ndaj Rusisë.

Mbledhja e parlamentit do të pasohet me zhvillime intensive politike në vend. Më 4 maj me propozim të socialistëve kryeparlamentarja Lindita Nikolla mbledh konferencën së kryetarëve për të përcaktuar kalendarin e punimeve për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Grupi i punës i ngritur nga socialistët ka mbledhur propozimet e deputetëve për presidentin, ndërsa nëpërmjet një e-maili zyrtar edhe qytetarët po shprehin kandidaturat e tyre. Mazhoranca ka kryer konsultime me krerët e grupeve të tjera, përveç atij të Partisë Demokratike, për shkak të krizës së brendshme në parti.

Ndërkohë, më 7 maj socialistët mbledhin asamblenë për të zbatuar vendimet e miratuara në kongresin e 9 prillit. Ndryshimet kryesore iu referuan më së shumti një reformimi të brendshëm të partisë me ndryshimet statutore. Në këtë kuadër, nga data 1 maj e deri më 15 qershor do të zhvillohet procesi i rizgjedhjes së 61 kryetarëve të degëve.