Beteja politike mes opozitës dhe shumicës qeverisëse në Shqipëri duket se është kthyer në një lojë taktika lufte, me ‘kush është fshehur prapa pallatit’.

Opozita sot ka marrë vesh nga lagjja tjetër se ‘po mblidhet Kuvendi!’, prandaj ‘o burra mblidhni trimat të vijnë në betejë’. Sa qesharake edhe e neveritshme.

Ndërkohë që opozita njofton planet për protesta të përjavshme, me ditën e caktuar çdo të enjte kur edhe zhvillohen seancat plenare të Kuvendit të Shqipërisë, pikërisht për të protestuar përpara legjislativit deri, duket se drejtuesit e Kuvendit zgjedhin të zhvendosin ditën e mbajtjes së seancës.

Opozita e merr vesh dhe thërret ‘trimat e lagjes’ : Ej, erdhën, o burra!’. Prapë qesharake dhe e neveritshme.

Kështu, Konferenca e Kryetarëve të grupeve parlamentare ka vendosur në mbledhjen e sotme që në orën 17:00 të zhvillojë një seancë plenare, për të zëvendësuar atë të javës së kaluar që u anulua për shkak të protestës së paralajmëruar të opozitës, për të cilën pati informacione se do të ishte e dhunshme.

Në këtë seancë pritet të votohet për miratimin e strukturave organizative të KLGJ-së dhe KLP-së, që ishin njoftuar për të enjten.

Menjëherë pas njoftimit për mbledhjen e seancës plenare ka reaguar kryetari i grupit të dorëhequr parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, i cili përmes rrjeteve sociale e ka quajtur mbledhje në ilegalitet të një Kuvendi ilegal.

“Pasi e rrethuan me tela me gjemba dhe salduan dyert hyrëse, tani kanë filluar ta mbledhin dhe në ilegalitet. Seancën e së enjtes po kërkojnë ta mbledhin fshehtas sot në orën 17:00. Sa mendoni se do zgjasni kështu?! Tik-tak…”, shkruan Paloka.

Ndërkohë, Partia Demokratike ka shpërndarë një mesazh me urgjencë për strukturat e saj, për t’u organizuar për një protestë përpara Parlamentit në orën 16:30. “Sot në orën 17:00 ka seancë parlamentare. Merrni masa për prani maksimale të strukturës në orën 16:30 para Parlamentit”, shkruhet në mesazhin drejtuar strukturave.

Mobilizimit të PD-së i është përgjigjur edhe LSI, e cila u ka bërë thirrje militantëve, që t’i bashkohen protestës së sotme në orën 17:00 përpara Parlamentit.

Veritas.com.al/