Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) ka rrëzuar ankimin e PD-së për të zhbërë koalicionin ‘Shtëpia e Lirisë’ për zgjedhjet e pjesshme lokale në 6 bashkitë e vendit. Mbledhja e cila zgjati për rreth 2 orë, u zhvillua me dyer të mbyllura dhe u vendos mos kalimi për shqyrtim i kërkesës ankimore.

Edhe pse Sali Berisha u përjashtua nga KQZ si pjesë e koalicionit ‘Shtëpia e lirisë’ duke mbetur vetëm LSI dhe PDK, vendimi nuk ka kënaqur Partinë Demokratike, e cila ka derguar ankimimin në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) kundër këtij koalicionin. PD parashtron 3 argumente, dorëzimi i kërkesës për koalicion nga LSI para se të regjistroheshin si parti, u përdorën simbolet e saj pa miratimin e kryedemokratit si dhe mbetët ende e paqartë se cila parti do të propozojë kandidatët për 6 bashkitë në zgjedhjet e 6 marsit.

PD shkruan se kërkesa e paraqitur nga LSI-PDK dhe Komisioni i Rithemelimit u dorëzua para se këto të regjistroheshin si subjekte zgjedhore, duke rënë në kundërshtim me Kodin Zgjedhor. Për këtë arsye PD thotë se këtyre partive u mungon legjitimiteti.

Një tjetër pikë që mbështetet PD ku kërkon mosnjohjen e këtij koalicioni është edhe përdorimi i simboleve të saj nga  “Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit” të Berishës, dhe se ky komision nuk figuron i regjistruar si subjekt zgjedhor dhe as si parti politike.

Gjithashtu sipas PD marrëveshjes i mungon edhe një element tjetër i rëndësishëm që ka të bëjë me përcaktimin e numrit të kandidatëve nga secila parti politike.

“Në kushtet kur subjekti “Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit” është përjashtuar nga marrëveshja, mbetet e paqartë se cila parti politike do te propozoje kandidatet e koalicionit”, shkruan PD.

Komisioni Ankimimeve dhe Sanksioneve shqyrtoi elementet  e formës dhe të përmbajtjes së kërkesës ankimore të Partisë Demokratike për të zhbërë koalicionin ‘Shtëpia e Lirisë’. KAS vendosi mos kalimin për shqyrtim të kërkesës ankimore.