Frrok Çupi/

Ndoshta kështu mund të konfigurohej “balerina” në momentet kur bota ndërton akset. Ja, jemi tani në këto orë kur Bota po lëshon ura. Zgjedhjet presidenciale në Amerikë kanë zgjuar si të fjeturit edhe të pagjumët në gjithë botën. Po punohet ditë e natë për akset; edhe qeveritarët e rinj amerikanë po përzgjidhen nga burrat e gratë më të fuqishëm për të ndërtuar akse…. Çfarë bëjnë këta këtu të kupolës? Balerinën…

… Dje ka qenë një ditë famoze simbolikash; me siguri ka edhe ditë të tilla të simbolizmit “kërcimtar”, por dita dje sikur ishte bërë për të dëshmuar sa larg akseve botërore po kërcen shteti shqiptar. Dje ndodhën këto ngjarje: Media britanike- në fillim, e pastaj ballkaniket, thyen ekranet dhe portalet me lajmin se “Rusia po vendos në Serbi armë bërthamore”. Këtë e konfirmuan si Rusia edhe Serbia. Ministri i Jashtëm serb tha se “lidhjen ia kemi borxh Rusisë përjetë”. Ndërsa vetë kryeministri serb Vuçiç kishte bërë ftesën për raketat bërthamore. Vuçiç iu kthye dje Brukselit duke i thënë “do të të iki nga tavolina” nëse nuk përmban Kroacinë…

Çfarë ndodhi kështu, e shikoni?! Nuk kishte veçse pak kohë që ishin prerë baste vëllazërimesh  të mëdha,  me ne dhe rreth nesh. Kishim bërë vëlla kryeministrin e Serbisë. Kosovën- ashtu ashtu, sepse doli më e rëndësishme Serbia. Kryeministri i Tiranës hyri garant si “lider global” se me Serbinë merrem “unë”.  Më parë diplomacia evropiane, dhe në përgjithësi perëndimore, ishte angazhuar për të lidhur vendet lindore që nuk ishin të lidhur mirë, me qëllim që të krijohej një aleancë e vogël anti- ruse. Thërritja e “katër çunave” të shteteve të Ballkanit Perëndimor, nga zonja Merkel, nuk kishte kuptim tjetër… Mirëpo ja ku përfundoi, ajo çfarë ndodhi dje…

Në fakt nuk ishte serbi Vuçiç- i pari nga “çunat” që e këputi kordonin e lidhjes. Ky, dihej se një sy e një gjysmë zemre i kishte në Rusi; dhe ja e tregoi dje. I pari ishte kryeministri i Tiranës, Rama. Ky kishte deklaruar sy për sy me zonjën Merkel se mund të “kemi edhe faktorë të tjerë”, veç Bashkimit Europian. Në një televizion në Tiranë, menjëherë pas kësaj tha se “mund të shkoj te presidenti Putin”. Në takim me kryeministren e Polonisë, në Tiranë, tha se sa nuk jemi në BE jemi të këndshëm, kur të jemi “në BE do të bëhemi të mërzitshëm”. Pak muaj më parë kishte deklaruar se do të rishikohen marrëdhëniet me Amerikën “në qoftë se fiton Donald Trump”.  Ja ku Trump fitoi… Dje, gazetari Genc Mlloja shpërndau një intervistë me ambasadorin e Turqisë në Tiranë, i cili kishte thënë se “se shpejti Kryeministri i Shqipërisë Rama dhe autoritetet me te larta turke do te nënshkruajnë dokumentin mbi ‘Partneritetin e Përbashkët Strategjik’. Këta kanë rrëshqitur në anti- atlantizëm- aksi më i fuqishëm i kohës moderne…

Nuk ishte i pari Vuçiç i Serbisë mes “katër çunave” të Merkel që këputi kordonin e lidhjes së aleancës së “Lindjes së vogël” kundër Rusisë. Ai edhe pse doli,  e kishte dhe e mbajti strehën: në Rusi; edhe pse BE nuk e dëbon ndonjëherë. Po ky këtu,  që e theu i pari kordonin dhe doli fushës pa një fije bari ku të mbahet; kryeministri i Tiranës, domethënë ne? Ne ku jemi, në cilin aks? E gjeni dot? Nuk ka bir nëne që e gjen këtë. Tjetër janë akset, tjetër politika e këtyre të kësaj qeverie.

Shteti shqiptar, për arsye të politikës së padenjë, në këto momente po mbetet “jashtë”. As në BE, as në Rusi, as në Turqi, as në kordonin sanitar të Lindjes, as në dinastinë e lashtë Jagellone… Akset e politikave botërore, o nuk janë kuptuar, o nuk janë përshtatur, o nuk janë nevojitur  për politikanët; dhe kjo “shije” e ka lënë shtetin jashtë.

Nuk janë nevojitur?… Ideja tragjike e mos- nevojës për akset botërore mbolli në Shqipëri  uri, vdekje, torturë, izolim, burgje dhe tru të shpëlarë. Kjo i përket periudhës së diktaturës komuniste. Autokratëve të kohës nuk u “nevojiteshin” akset, sepse në akse humbnin pushtetin e tyre. Edhe në këtë rast tani: Këta po mbyllin gjithçka brenda për brenda duke mos lejuar as zgjedhje të standardit të “akseve”. Mendojnë për jetëgjatësinë e tyre në pushtet dhe “luaje sa andej këndej” me akset.

Nuk janë përshtatur akset? … Në këto momente po përdoret fiks skema e vjetër e strategjisë së akseve: Dy vjet me Jugosllavinë, tre vjet (deri në vitin’51 kur vdiq Stalini)- me Rusinë ; dhjetë vjet me Kinën (duke pasur nëpër këmbë edhe  Korenë, Vietnamin  dhe Kamboxhian). Vetëm aty nga  vitet  ‘90 nisi era e rreshtimit me BE, e cila tani po vihet në dyshim serioz. Po kështu, kryetari i qeverisë ka vënë në pikëpyetje aleancën me Shtetet e Bashkuara- aleati që na e dhuroi më shumë natyra se vetë ne. “Balerini” i fundit dëshmon se nuk rri dot mbi akset, përsëri si në skemën e vjetër. Këta nuk bëhen dot pjesë e boshteve të qëndrueshëm; dhe për nga gjenetika nuk kemi “farefisni”- siç thotë studiuesi i famshëm Hantington për shqiptarët… Tjetër gjë ndodh me Rumaninë, me Hungarinë, me Poloninë- vende si edhe ne- Lindore. Aty njerëzit, gjenetikisht e konsiderojnë veten avampost të Europës Perëndimore, nuk ua prish dot akset “balerini”. Polakët që në shekullin 16 formuluan “res- publica” (gjëra të përbashkëta, Republika).

… Nuk janë kuptuar akset? Edhe kjo pyetje mund të bëhet, duke dashur t’i gjykosh më për mirë. Po si nuk kuptohen ato që përbëjnë themelin e jetës dhe të prosperitetit të popullit që ti thua se po e prin?!  Megjithëse këtu ka vërtet një pengesë në të kuptuar. Le të bëjmë pyetje si e kuptuan ata që e kanë kuptuar dhe po e zbatojnë strategjinë e akseve.  Për shembull vendet balltike… Ato, të gjitha, edhe pse në dekada ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik, sot janë vendet me “amerikane” mes gjithë vendeve të Europës Lindore. Ka këtu një çështje të të kuptuarit, vërtet. Ja cila është:  Liderët e tyre kanë dituri dhe shije perëndimore,atlantizmi dhe amerikanizmi. Këta janë mësuar që në vegjëli me këtë frymë. Edhe kanë marrë këtë kulturë. Vaira Vike- Freiberga, psh., presidente e Letonisë, që luajti rol kryesor për pranimin në NATO, është rritur në shkollat e Montrealit. Presidenti i Estonisë, Toomas Hendrik Ilves, është rritur në New Jersey dhe shkolluar në “Columbia University”… Ja kështu… Po këta tanët? Këta gërricen me Vuçiç me të cilin kanë të njëjtën barsoletë. Këta kanë lindur në bllokun komunist dhe janë shkolluar: o për pikturë, o për gjuhë të huaj… dmth., pa shkollë. Këta e kanë shijen te bunkerët; bunkerët janë simboli anti- akse… A nuk u çor dynjaja duke thërritur: “Mos i zgjidhni liderët nga komunistët e djeshëm”, por thatë “Hë mo, luftë klasash prapë?”.

Shteti po mbetet jashtë akseve; domethënë ne.

/Veritas.com.al/