Ka shkaktuar reagime një deklaratë e ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli gjatë vizitës së saj zyrtare në Prishtinë këtë të martë. Kodheli u pyet për situatën politike që po kalon Kosova dhe ajo tha se çështja mund të zgjidhet me dialog. “Dialogu bëhet në bazë të strukturave dhe institucioneve të dala nga zgjedhjet demokratike në këtë vend dhe nuk mund të jetë asnjëherë dialog i rrugës. Ne do të jemi në mbështetje të këtij dialogu, por më lejoni që t’ju rikujtoj dhe rikthej në vëmendjen tuaj, ju keni fatin të gjykoni mbi atë çka Shqipëria ka bërë në këto 25 vite nga pikëpamja politike”.  Më pas Kodheli ka dhënë edhe një këshillë: “Mos i bëni gabimet e shqiptarëve. Kështu që besoj se duhet të mësoni nga gabimet tona dhe në këtë mënyrë rrugëtimi juaj do të jetë, e përsëris, më i sigurtë dhe do të zgjasë në kohë aq sa rrugëtimi ynë drejt këtyre strukturave”.
I pari që reagoi ishte ish-kryetari i Parlamentit, Jakup Krasniqi.
“Është një shprehje, që për të saten herë e dëgjojmë nga zyrtarë të lartë të shtetit që e përfaqësojnë – Shqipërisë? E shajnë shtetin që e përfaqësojnë? Çfarë përfaqësimi është ky? Ku i keni marrë këto mësime te çoroditura? Dhe e mundet fare, që ky të jetë përfaqësim që i duhet shtetit tuaj? Kur shtetin e shajnë ata që do të duhej ta mbronin me fanatizëm, përkushtim e dinjitet. Shtetin që nuk do të duhej të lejonin t’ua nëpërkëmbte askush! Prej nga e mësuan ketë gjuhë këta zyrtarë të lartë të shtetit – Shqipërisë? Sot kësaj vjershe që e kanë mësuar si papagalli, përmendsh, iu bashkua edhe Ministresha e Mbrojtjes së Shqipërisë, zonja Kodheli e cila paska thënë: “Mos merrni mësim nga ne (nga Shqipëria – nënvizimi im) – gjuha e rrugës nuk është zgjidhje”. A vërtetë “gjuhë e rrugës” është mbrojtja e vendit nga marrëveshjet e këqija, që po qojnë vendin nga shkërmoqja e shtetit?” –shkruan Krasniqi.
“Po thonë mos merrni mësim nga Shqipëria? Kush duhet të jetë fajtorë, nëse ne, nuk duhet të mësojmë nga shteti shqiptar me histori 103 vjeçare – Shqipëria? Madje, para kujt po ia thonë ketë? Po e thonë para atyre që sheshazi kanë bërë marrëveshje tepër të dëmshme për vendin që e përfaqësojnë. Po e thonë para atyre që shtetin e kanë bërë policor, e të cilin e drejtojnë kundër atyre që po e mbrojnë. Po e thonë para atyre që Shtëpinë e Demokracisë, Kuvendin e Kosovës e kanë shndërruar në Garnizon të policisë anti terror. Po e thonë para atyre që, jo vetëm e kanë pastruar Kuvendin nga opozita, por janë duke burgosur deputetët opozitar?! Janë duke i gjakosur kushdo që guxon ta mbrojë Republikën e Kosovës, veprimtarë politik, të rinj e të reja që e duan ketë vend, pa hile e pa interes. Para atyre që sheshazi, janë duke i mbrojtur interesat e veta, por assesi interesat e Republikës sonë. Republika e Kosovës, qytetarët tanë, madje edhe te gjithë të pushtetshmeve “tanë”, duhet t’ju flisni ndryshe, jo duke e sharë shtetin që e përfaqësoni – Shqipërinë! A jeni në veti apo jo?” –shkruan Krasniqi.
Një reagim e ka bërë edhe kryeministri Isa Mustafa në mbledhjen e qeverisë. Sipas Mustafës, qeveria të cilën ai e drejton nuk ka nevojë për mësime nga Shqipëria. Kryeministri Mustafa, uroi që Shqipëria të mos kalojë asnjëherë nëpër atë që po kalon për momentin Kosova. “Uroj që në Shqipëri të mos ketë gaz lotsjellës”, ka thënë Mustafa, në mbledhjen e Qeverisë, bën të ditur Klan Kosova