Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkoi nga detyra ish-prokurorin Besnik Muçi, prej një muaji anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Pas vendimit Muçi deklaroi se verdikti i KPA nuk kishte efekt, pasi ai e kishte humbur statusin e prokurorit kur u betua si anëtar i Kushtetueses.

Me këtë bindje Muçi iu drejtua mëngjesin e sotëm këtij institucioni. Rreth orës 10:00 ai ka kaluar pragun e derës së Gjykatës Kushtetuese. Ai ka qëndruar aty më pak se një orë aty dhe është larguar jo nga hyrja kryesore për t’iu shmangur mediave.

Kolegji konstatoi probleme me pasurinë dhe marrëdhënie kontraktore me një biznesmen të akuzuar në vitin 2014 për “moskallëzim krimi”. Megjithëse në vendimin KPA iu referua edhe si ish-prokuror edhe si gjyqtar i Kushtetueses, vetëm Muçi pretendoi se ky verdikt nuk e pengon të vijojë funksionin si gjyqtar në Kushtetuese. Sipas tij, mbarimin e mandatit të tij e konstaton vetëm Gjykata Kushtetuese.

Muçi tha betimi i tij si gjyqtar kushtetues i është njoftuar zyrtarisht Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Por sipas tij, kreu i KLP, Gent Ibrahimi, me një mosveprim kriminal, nuk ka njoftuar anëtarët e tjerë të Këshillit, me qëllim konstatimin e përfundimin e statusit të prokurorit për Besnik Muçin.

Veritas.com.al/