Nga Ardit Rada

Protestat e dhunshme në Tiranë kanë hyrë në ditën e tyre të katërt, teksa opozita ka zgjedhur të heshtë. E kompleksuar nga ndërkombëtarët ajo nuk e ka marrë përsipër autorësinë e organizimit, pavarësisht se tradhtohet nga eksponentët pranë saj që drejtojnë turmën e papërgjegjshme dhe shkatërrimtare.
Kësisoj, ajo ka zgjedhur të fërkojë duart teksa protestën ia faturon një këngëtari repist, ndërsa nga ana tjetër hedh parrulla në ekran se dorëheqja e Sandër Lleshajt nuk mjafton. Por më shqetësuese se kjo lojë e dobët e PD dhe LSI, është heshtja e Presidentit.
Edhe pse “Stresi” i lutej të bëhej i gjallë dhe të çonte popullin, Ilir Meta nuk ka lëvizur as qerpikun për atë ç’ka po i ndodh Tiranës.
Tashmë protesta ka një bilanc dëmesh të konsiderueshme. Përveç zyrave të shtetit, dhjetëra dyqane janë sulmuar, makinave të qytetarëve u janë thyer xhamat dhe dhjetëra efektivë kanë qepur plagët në spital.
Ndoshta presidenti mund të heshtte për shkatërrimin e ministrive, duke qenë se edhe vetë u ka shpallur luftë shkresash atyre. Por përtej zyrave të Ramës dhe Veliajt, vandalizmi ka prekur Bibliotekën Kombëtare dhe Muzeun Historik, që janë tempuj të kulturës dhe institucione të memories kombëtare. Janë themelet e një shteti dhe të një shoqërie civile.
Eshtë e kuptueshme që si takticien i përsosur shmang edhe reagimin e tij ndaj mazhorancës që vetë kreu i saj e akuzon për orkestrim të vandalizmit. Me gjasë që vëmendja të mos shkojë në një debat virtual Rama-Meta, por të mbetet te protesta dhe kjo e fundit të precipitojë si të dojë. Por se paku për Bibliotekën dhe Muzeun mund të reagonte Ilir Meta, që nuk le gol të Celtic-ut pa komentuar në rrjetet sociale. Që nuk le foto pa hedhur me Çimin, Fahriun, Kaç Islamin apo Besin, por vetëm pamjet e shkatërrimit nuk i sheh.

Dy fjali kundër dhunës mund t’i shkruante meqenëse edhe një vit më parë na u paraqit si Zeusi që ndali djegien e Kuvendit. Sepse në të kundërt heshtja e tij ngjan si kthim xhevapi ndaj Stresit: Vazhdoni se unë nuk po shoh gjë!

VERITAS.COM.AL