Prokuroria e Lezhës ka kërkuar 8 vite burg 17-vjeçarin Florian Përvathi, i cili në janar të këtij viti vrau për gjakmarrje, Lek Lekgjonaj.

Kjo pas përfundimit të hetime, të cilat u dhanë nga prokurori Sabri Kastrati.

Ai e ka akuzuar të riun për  “vrasje për gjakmarrje” dhe “mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”.

Sipas Prokurorisë, Përvathi ka kryer krimin me paramendim gjakmarrjen.

Kjo pasi vëllai i viktimës i kishte vrarë babin kur ai ishte vetëm katër vjeç, ndërsa mendohet se armën tip pistoletë e kishte siguruar një vit më parë në Shkodër.

Ndërtimi i ngjarjes

Mesditën e 24 janarit erdhi njoftimi nga Policia e qytetit të Lezhës se, në fshatin Manati, një 65-vjeçar ishte vrarë me armë zjarri.

65-vjeçari me iniciale L.L. u qëllua për vdekje nga një 17-vjeçar.

Krimi u cilësua për motive hakmarrje, pasi vëllai i viktimës, në vitin 2009, ka vrarë të atin e 17-vjeçarit.

Ndërkaq, sipas njoftimit të Policisë të asaj dite, u sekuestrua arma e zjarrit pistoletë dhe i mituri u vetëdorëzua në polici.

Aspekti ligjor i gjakmarrjes

Për Albanian Post, juristja Ardita Sokoli tregon se kodi penal parashikonte Vrasjen për Gjakmarrje në Nenin 78 si vrasje me paramendim.

Më konkretisht, cilëson ajo, “Vrasja e kryer për interes, hakmarrje a gjakmarrje dënohet me burgim jo më pak se 20 vjet ose me burgim të përjetshëm”.

Sipas juristes, në vitin 2013, Ligjvënësi e ashpërsoi masën e dënimit të parashikuar për këtë lloj krimi me pasoja të rënda.

Në Ligjin nr 144/2013, u shtua neni 78/a me emërtesën Vrasje për Gjakmarrje.

Sipas ligjit parashikohet se “Vrasja me dashje për Gjakmarrje dënohet me burgim jo më pak se 30 vjet ose me burgim të përjetshëm”.

Nga viti 2005 deri në vitin 2015 janë dënuar 135 persona, ndërsa të proceduar janë 129.

Megjithëse Kodi parashikon dënime të ashpra për nenet 78 paragrafi i dytë dhe nenin 78 pika a, gjatë këtyre viteve janë regjistruar vetëm shtatë raste me burgim të përjetshëm.

Sipas një publikimi nga institucioni i Avokatit të Popullit, gjakmarrja mund të luftohet me efektivitet “vetëm në qoftë se strukturat shtetërore, shkollat, komunitetet fetare, media dhe shoqëria civile do të punojnë në një zë sipas një strategjie të përbashkët”.