Mbrëmjen e sotme ka mbërritur në vendin tonë vetëm pjesa e parë e 22.230 dozave të vaksinës Pfizer që pritet të vijnë deri më 20 prill. Në Rinas sot kanë ardhur rreth 7 mijë doza. Lajmin e bën me dije kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjete sociale, i cili shkruan se do të vazhdojnë për sasi të tjera ndërsa thekson se Shqipëria është mes vendeve më të shpejta në Europë për vaksinimin masiv.

“Sapo mbërriti në Rinas partia e parë e 22 mijë e 230 dozave PFIZER, që do të lëvrohen deri në 20 prill. Vazhdojmë me forcë e me këmbëngulje përpara, që t’i kthejmë Shqipërisë buzëqeshjen një orë e më parë, mes vendeve më të shpejta në Europë për vaksinimin masiv”, shkruan Rama.

Brenda 10 ditësh në Shqipëri do të vijnë edhe 50 mijë doza të tjera nga vaksina ruse Sputnik V. Lajmi e bëri të ditur kryeministri Edi Rama, i cili tha se me nisjen e vaksinimit masiv vendi do të dalë shumë shpejt nga tuneli i errët i pandemisë.

Këto doza do të shërbejnë për të vijuar procesin e vaksinimit masiv në vend, me qëllim arritjen e objektivit prej gjysmë milioni të vaksinuar brenda muajit maj. Rama shprehet optimist se ky objektiv, por edhe fitorja me COVID është e mundur.

“Sapo kemi arritur marrëveshjen për të sjellë në Shqipëri 50.000 doza të tjera të vaksinës Sputnik brenda 10 ditëve. Ne do ta fitojmë këtë luftë me forcën e karakterit e të këmbënguljes sonë dhe do ta lemë shpejt pas tunelin e pandemisë, ku drita e daljes sa vjen e zmadhohet”, tha Rama.

Kjo është sasia e dytë e dozave të vaksinës ruse Sputnik, e ndërsa vendi ynë po përdor aktualisht dozat nga kompania Pfizer, AstraZeneca dhe Sinovac (vaksina kineve). Në total, siç ka njoftuar më herët, Shqipëria ka 2.6 milionë vaksina të siguruara, nga të cilat 2.1 milionë të kontraktuara që do të mbërrijnë në vend në periudha të ndryshme kohore.

Procesi i vaksinimit në Shqipëri ka nisur që më 11 janar të këtij viti, ku në total janë vaksinuar 192.882 persona, e ndërsa prej 9 ditësh ka vijuar procesi i vaksinimit masiv ku janë përfshirë të moshuarit mbi 68 vjeç, gazetarët, operatorët dhe efektivët e policisë dhe policisë së burgjeve.

Ndërkohë që sipas faqes ourworldindata.gov Shqipëria ka shënuar rekord në injektimin e vaksinave antiCOVID për sa i përket dozave javore për 100 banorë, duke lënë mbrapa vendet më të  të rëndësishme të BE-së.

VERITAS.COM.AL

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.