Koment/ Tirana përjetoi mbrëmë momente kaotike si pasojë e një lajmi të rremë që u shpërnda nga disa portale për një tërmet të fuqishëm 6 ballësh që do të godiste qytetin në orën 23:30.

Mijëra familje, gra, burra, të moshuar, fëmijë e të sëmurë, të tmerruar nga ky lajm fals, lanë shtëpitë e tyre në mes të natës dhe dolën nëpër rrugë e nëpër parqe për t’u qëndruar larg ndërtesave.

Morën me vete çka mundën për të kaluar natën jashtë.

Shumë të tjerë, nën panik, braktisën qytetin. Rrugët dalëse të Tiranës u bllokuan nga fluksi i makinave që nxitonin të largoheshin.

Ministrja e Mbrojtjes u detyrua të dalë në një konferencë në mesnatë për të qetësuar qytetarët.

Edhe Qendra Europiane e Sizmiologjisë postoi një njoftim, nëpërmjet të cilit i ftonte qytetarët që të mos i dëgjonin lajmet e rreme, duke sqaruar se tërmetet nuk mund të parashikohen.

Lajmi që shkaktoi panikun e paprecedentë i referohej një interviste të sizmiologut grek Akis Tselentis. Por intervista ishte tjetërsuar nga portalet për arsye ende të paqarta dhe çoi në pështjellim gjithë Tiranën dhe jo vetëm.

Për më tepër, ai erdhi në kontekstin e tërmetit 5.8 ballë të së shtunës që u ndje fuqishëm në Tiranë e Durrës, por edhe të deklaratave të bëra në muajin Korrik nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, i cili tha se Shqipëria dhe Ballkani rrezikoheshin nga një tërmet apokaliptik.

Presidenti i Republikës sqaroi në atë kohë se iu referua sizmiologut grek Tselentis, ndonëse sizmiologu e mohoi vetë të kishte bërë një deklaratë të tillë dhe veç të tjerash, ai rezulton i paditur disa herë në gjykatë si mashtrues, për shkak se ka përhapur panik tek qytetarët nëpërmjet parashikimeve të pasakta për tërmetet në Greqi.

Veritas.com.al/