Frrok Çupi/

Çfarë është ky mesazh ‘i madh’ që po e presin të gjithë, nga Amerika, që në momentin kur u njoftua në media? Është një realitet apo një fantazi?

Po të jetë fantazi, ka plot të drejtë të vijë mesazhi nga Amerika dhe të mirëpritet nga të gjithë, qoftë edhe si fantazi. Në kohë të vështira njeriu beson edhe të paqenën, sepse ka nevojë të shikoje me sytë e mendjes atë që beson.

Shqiptarët janë të lidhur me ‘endrrën’ Amerikë, si me një ralitet prezent, qoftë edhe pa e ditur aq mirë se sa në mendje na ka Amerika. Besoj se përveç lidhjeve të hershme me Europën Perëndimore sidomos përmes misionarëve të besimit dhe mendimtarëve katolikë, Amerika përbën argumentin e ri më të rëndësishëm të ‘kualitetit perëndimor’ të shqiptarëe.

Në kohët më të vështira njeriu beson te më i forti, njësoj siç beson te Zoti atëherë kur nuk ka shpresë dhe zotësi tjetër. Siç ka ndodhur pas Luftës së Dytë Botërore kur u vendos regjimi komunist… njerëzit besonin se pushteti komunist nuk do të jetonte ‘as tre muaj, se do të vijnë aleatët’. Siç ka ndodhur edhe kur diktatura shembi objektet e kultit fetar dhe, njerëzit- krejt të izoluar- thanë se ‘do t’i vrasë zoti’. Kësaj here kur vendi ndodhet në një situatë të të rëndë politike dhe ekonomike, shpresojnë se ‘nesër Amerika flet direkt për ne që nga Departamenti i Shtetit’. Edhe sikur të mbetet një ëndërr- është shumë e vlefshme.

Por pse të mos jetë një realitet?

Sepse i dërguari amerikan, Yee, sapo erdhi në Shqipëri, qëndroi, bisedoi dhe mori garanci për zgjidhjen e krizës politike. Mirëpo sapo iku, punët rodhën. Kryeministri deklaroi se nuk e pranonte ‘zgjidhjen’ e ‘amerikanit’. Ndoshta ngaqë kryeministri mendon se ‘Amerika është më larg se Europa’. Ky, në Europë ka miq, ndërsa në Amerikë- jo.

Por Europa (BE) tashmë është e pazonja të zgjidhë çështje të ‘satelitëve’, madje as të vetat. Siç shkruan Adelheid Wölfl në ‘Der Standard’ ditët e fundit,  Evropa është “një somnambul që ecën” nëpër këtë krizë të re të shteteve të Ballkanit dhe më gjërë. Europianët e BE nuk interesohen më as për demokracinë, as për lirinë, as për individin; veç si të mbahen me makinacione në këtë rajon.

Mesazhi i nesërm i Amerikës për ne do të ishte një mrekulli edhe ‘europianiste’ sepse do të dëshmonte si zgjidhen krizat. Do të dëshonte se demokracia nuk është një send i hedhur. Do të dëshmonte edhe se ky rajon ka rëndësi për Amerikën. Disa kanë kohë që thonë të kundërtën, por me siguri me hile.

Në qoftë se nesër do të ketë një mesazh nga ‘State Department of America’, pak ditë pas largimit të të dëguarit të vet, atëherë ky mesazh do të jetë me valë më të lartë se mesazhi që la diplomati Yee.

Atëherë çfarë do të jetë mesazhi? Sigurisht një urdhër i rreptë mbi shkelësit e të drejtës dhe të demokracisë. Atëherë mund të jetë një paralajmërim që ‘zgjedhjet parlamentare të mos bëjnë asnjë hap pa opozitën dhe pa garanci… ndryshe nuk e njohim një qeveri të dalë nga zgjedhje moniste’. Pak a shumë kështu…

Por sikur të ndodhë kështu, atëherë kjo do të jetë hera e parë që ndodh në vende europiane siç është vendi ynë. Dhe po të ketë mesazh amerikan, vetëm një mesazh si ky do të jetë; çfarë tjetër?! Të gjitha të tjerat janë ‘konsumuar’ deri në këtë pikë. Përderisa Partia e Presidentit të zgjedhur, Meta, mbajti qëndrim ndryshe, hapur kundër qeverisë që do zgjedhje moniste, këtu ka diçka. Se nuk trembet kot gjysma e të majtës…

Ose lajmi mund të jetë i rremë, ose i llojit të fundit ‘fake news’ për të tërhequr sa më shumë klientë të mashtruar nga media. Gjë që mund të jetë më e besueshme, sikur deri nesër të mos ketë nevpojë për ‘magjistarë’ mediatik, por të zgjidhet kriza.

Veritas.com.al/