Nga: Monitor/

Shqipëria kryen pagesat më të mëdha në rajon për të marrë shërbime nga vendet e Bashkimit Europian.

Eurostat ka publikuar sot të dhënat e bilancit të pagesave të Bashkimit Europian me shtetet e tjera të botës.

Të dhënat përfshijnë dhe Shqipërinë, të ndara për bilancin e llogarisë korente dhe bilancin e tregtisë në shërbime. Ndërsa në bilancin e llogarisë korente, BE është në deficit me Shqipërinë (rreth 400 milionë euro), shtetet e BE-së janë në suficit të lartë përsa i përket bilancit të tregtisë së shërbimeve.

Ky suficit për BE-në (që nënkupton daljen e parave nga Shqipëria drejt shteteve të BE-së) është 900 milionë euro për 9 mujorin 2017. Ky nivel është më i larti në rajon, teksa nga Serbia dalin drejt BE-së 600 milionë euro, nga Maqedonia 300 milionë euro, nga Mali i zi 800 milionë euro dhe nga Kosova 700 milionë euro.

Sipas shpjegimeve të Eurostat, kategoritë kryesore që përfshihen në bilancin e tregtisë së shërbimeve janë transporti, udhëtimet, sigurimet dhe pensionet, shërbimet financiare, pronësia intelektuale, telekomunikacione-kompjuter-informacion dhe shërbime të tjera biznesi.

Nga të dhënat rezulton se për realizimin e këtyre shërbimeve kanë ikur nga Shqipëria neto 900 milionë euro për 9 muajt e parë. Të dhënat e tjera të Bankës së  Shqipërisë, po për bilancin e pagesave tregojnë se një pjesë të konsiderueshme e zë transferimi i fitimeve. Po sipas bankës, kompanitë e huaja që kanë aktivitet në Shqipëri transferuan 221 milionë euro përgjatë 9 muajve të këtij viti, në formën e pagesave të dividendëve, ose si pagesa interesash. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, transferimi i fitimeve është rritur me 47%. Ky është niveli më i lartë i arritur në 7 vite, që nga  viti 2010.

Çfarë është tregtia në shërbime

Sipas përkufizimit të OECD, Tregtia në shërbime regjistron vlerën e shërbimeve të shkëmbyera ndërmjet banorëve dhe jo-rezidentëve të një ekonomie, duke përfshirë shërbimet e ofruara nëpërmjet filialeve të huaja të themeluara jashtë vendit.

Ky tregues matet në milion USD dhe përqindjen e PBB-së për eksportet, importet dhe tregtinë neto. Shërbimet përfshijnë transportin (të mallrave dhe udhëtarëve), udhëtimet, shërbimet e komunikimit (postare, telefonike, satelitore etj.).

Shërbimet e ndërtimit, sigurimet dhe shërbimet financiare, shërbimet kompjuterike dhe informative, honoraret dhe tarifat e licencës, leasing, shërbime teknike dhe profesionale, etj.), shërbimet kulturore dhe rekreative, si dhe shërbimet e qeverisë që nuk përfshihen në listën e mësipërme.

Tregtia në shërbime nxit shkëmbimin e ideve, njohurive dhe teknologjisë, edhe pse shpesh është e kufizuar nga barrierat siç janë rregulloret e brendshme. (Monitor/ Veritas)