Nga: L. Skiro/

Të majtë e të djathtë e të pavarur në Kukës dhe në Veri të vendit kanë paraqitur protestën e tyre kundërtaksës në Rrugën e Kombit. Të gjithë janë bërë së bashku kundër vendimeve arbitrare qeveritare në dëm të kombit. Por bie në sy qëndrimi i të Majtëve në Kukës kundër vendimit të qeverisë së majtë.

Zgjedhja e tyre ishte mjaft e vështirë për arsye se prej kohësh të majtët kanë shtruar për diskutim: “Para atdheu apo partia?’, dhe në përgjithësi ka fituar paradigma “e para Partia’.

Si nisi ideja e mbrapshtë pa marrëveshje me njerëzit e kombit?

Rruga e Kombit filloi me taksën e rrugës ku 5 euro të hysh dhe për t’u kthyer duhen edhe 5 euro, praktikisht 13 mijë lekë. Por sa herë lëvizin njerëzit? Po ata që kanë punë nëpër zonat në fjalë e ku u duhet të kalojnë edhe dy apo tre herë në ditë, si do t’ia dalin financiarisht? Po kosovarët që vijnë çdo fundjavë në Shqipëri?

Vendosja e taksës për kalimin e makinave në Rrugën e Kombit është kundërshtuar jo vetëm nga opozita, por edhe nga vetë Partia Socialiste. Të zgjedhurit e kësaj force politike në Këshillin Bashkiak të Kukësit kanë dalë sot hapur kundër qeverisë dhe kryeministrit, Edi Rama që kanë miratuar taksën e re. Në debatet e zhvilluara në mbledhjen e këshillit, socialistët ishin të parët që deklaruan se vendosja e kësaj takse ka qenë e pamenduar dhe pa u bërë një studim mbi efektet që do të sjellë në banorët e zonës që përdorin më shumë këtë rrugë.

Aplikimi i taksës së kompanive pritave do të nis në muajin prill. Pritet që këto ditë në zonën e Kukësit të nisin protesta për të kundërshtuar këtë vendim. Veç qytetarëve që preken direkt nga kjo taksë, partitë e opozitës e kanë kundërshtuar fortë këtë vendim të qeverisë. Ndërkohë që sot u janë bashkuar dhe socialistët duke shprehur hapur kundërshtinë ndaj vendimmarrjes së Edi Ramës. Me një qëndrim të përbashkët gjithë partive, Këshilli Bashkiak i qytetit i ka kërkuar qeverisë dhe Parlamentit anulimin e taksës, ndërsa ftojnë të gjithë qytetarët në një protestë paqësore.

Arif Rexhmati, kryetari i grupit të këshilltarëve të djathtë, tha: “Kryeministri ka heshtur, institucionet kanë heshtur, kreu i Parlamentit ka heshtur… Propozim im është që të caktojmë një ditë dhe një orë për një protestë paqësore për kundërshtimin e taksës”. Ndërsa Tatjana Kërgjaliu, kryetare e grupit të këshilltarëve të majtë, u shpreh: “Një grup prej nesh të shkojmë te prefekti, që të njihemi nga afër me përgjigjen e instancave”.

Kundër është shprehur edhe shoqëria civile.

“Ne nuk e kemi parë ndonjëherë veten më keq se tani. Do të kemi pamundësi lëvizjeje. Kuksianët nuk kanë reaguar dhe kjo është një e metë e jona si shoqëri”, deklaroi Rifat Demalija. Ndërkohë që Lavdrim Shehu theksoi: “Është një barrë financiare që i vendoset qytetarëve dhe një pengesë e madhe psikologjike për njerëzit”.

Vendosja e taksës për kalimin në “Rrugën e Kombit” do të përkthehet menjëherë në rritjen e çmimit të biletës nga shoqëritë e transportit privat: “Deri tani kemi punuar me një biletë që kushton 400 lekë, ndërsa taksa na detyron ta rrisim këtë çmim”. Aplikimi i tarifës 5 euro për një kalim për automjetet e vogla nis shpejt, ndërsa kompania koncesionare është ende në fazën e testimit të rrjetit.

Kompania koncesionare ka një kontratë zyrtare me shtetin, ndaj ka investuar, por kush do t’ia paguaj diferencën e uljes së mundshme të taksës?

Këto e shumë pyetje të tjera duan përgjigje nga kryeministri. Jo përgjigje me facebook, por direkt e ‘live’ para popullit.

Veritas.com.al/